Transmetuar më 22-06-2021, 19:46

Autori i dyshuar i vrasjes së gruas 20 vjeçare, Caroline Crouch, shkoi sot në mëngjes në gjykatë nën masa të forta sigurie.

Veshur me jelek antiplumb, Babis Anagnostopulos, u fut në sallën e gjyqit ku prokuroria kërkoi nga gjykata të vlerësohet masa e sigurisë së arrestit me burg pa afat për 32 vieçarin.

Ndërkohë, vetë i dyshuari ka mbajtur një fjalë të gjatë në seancën e sotme ku ndodhej vetëm me një avokat, sepse më herët dje, dha dorëheqjen avokati tjetër.

Në seancë, piloti shtroi dy kërkesa. Ai tha dr duhet të realizohet një ekspertizë në kamerën e vendosur në katin përdhes të shtëpisë, në mënyrë që të përcaktojë kohën e saktë kur karta e memories është hequr.

Kërkesa e dytë ka të bëjë me thirrjen e dëshmitarëve. Babis kërkon që të shkojnë në gjyq familjarë, të afërm dhe miq e fqinjë të çiftit për të dëshmuar në mënyrë që të jepet pamja e plotë e marrëdhënies midis tyre.

Gjatë seancës, piloti tha se gjithçka ndodhi në një çast, për shkak të intensitetit që i kishte paraprirë. Nuk kishte paramendim sipas tij. Ai tha se u ngjit nga kati i parë i shtëpisë për në papafingo me qëllim që ta bindte të shoqen që të flinte me fëmijën e tyre.

Por nisi një debat dhe ai tha se u përpoq ta qetësonte duke e përqafuar dhe duke e shtrënguar ndërsa ishte mbështetur pranë saj. Dhe më tej, tha ai, ndodhi ajo që ndodhi.

Në fund, i akuzuari kërkoi falje për shkatërrimin e familjes së tij dhe dy familjeve të tjera. Ai tha se ndjehet thellësisht i penduar.

Anagnostopulos akuzohet për vrasjen me paramendim të gruas, vrasjen e kafshës shtëpiake, dëshmi të rreme, investim të autoriteteve në ndodhi të rreme, etj.

Në të njëjtën kohë, ende po hetohet nëse ka një person të tretë të përfshirë në vrasjen e Caroline 20-vjeçare. Hetohet mundësia që dikush tjetër të ishte në shtëpi në kohën e vrasjes, ose të dyshuarit i është dhënë ndihmë apo instruksion në një mënyrë të tërthortë që po hetohet. /ardi/noa.al