Transmetuar më 30-06-2021, 22:08

Aktorja amerikane Allison Mack, e njohur sidomos si ylli i serialit Smallville, u dënua të mërkurën nga një gjykatës federal në Brooklyn SHBA, me tre vjet burgim.

Ajo u akuzua për pjesëmarrje në sektin DOS, një organizatë piramidale e skllevërve të sek sit të nxitur nga guruja amerikan, Keith Raniere. Aktorja e njohur mori dënim të reduktuar në sajë të bashkëpunimit të saj me autoritetet. Kurse guruja mori dënim 120 vjet burgim, praktikisht burg përjetë.

Për Allison, prokuroria kishte rekomanduar një dënim më të vogël se ai i parashikuar nga ligji, midis 14 dhe 17 vjet e gjysmë burgim, duke marrë parasysh bashkëpunimon e aktores në hetim.

Por në fund, gjykatësi Nicholas Garaufis vendosi dënimin 3 vjet heqje lirie.

Allison Mack (38) i dha ekipit të Prokurorit të Rrethit Federal të Brooklyn një pasqyrë të vlefshme për mënyrën e funksionimit të sektit DOS dhe veprimet e organizatës kishtare Keith Raniere.

Ajo tha se kreu i sektit rekrutonte femra, vajza e gra për punësim, por më pas i detyronte të kryenin marrëdhënie me të.

Allison ishte aktore protagoniste në serialin që zgjati 10 vjet nga 2001 deri më 2011, Smallville. Po ashtu ka luajtur dhe në serialet FX dhe The Following.

Në proces doli në pah fakti se aktorja kishte rol të menaxhimit të femrave që përgatiteshin për t’u përfshirë në marrëdhënie intime me gurunë.

Përveç bashkëpunimit të saj, Allison Mack u kërkoi falje viktimave në seancë. Ajo tha se ishte "plot pendim dhe faj" për këtë "kapitull të tmerrshëm të jetës (së saj)". "Më vjen turp për mënyrën se si jam sjellë", vazhdoi ajo.

Në një letër drejtuar gjykatës, aktorja, e cila nuk është shfaqur në televizion që nga viti 2016, shpjegoi se ajo kishte ndryshuar dhe donte të "vazhdonte të transformonte veten në një grua më të dashur dhe të dhembshur". /noa.al