Transmetuar më 02-07-2021, 01:16

E përditshmja franceze e së majtës, Liberation, ka publikuar një speciale për situatën e qeverive në disa vende të Evropës. Njëkohësisht gazeta Socialiste franceze ka bërë klasifikim të regjimeve autoritare dhe gjysëm autoritare të kontinentit, duke përfshirë aty vendet anëtare të BE si dhe ato që aspirojnë të bëhen pjesë.

Tek vendet me demokraci të cunguar renditet edhe Shqipëria. Liberation ka bërë një klasifikim sipas të dhënave të Freedom House, të vendeve të Ballkanit dhe të Europës qëndrore, ku në bazë të rregullsisë së zgjedhjeve, lirisë së medias, drejtësisë së pavarur dhe korrupsionit, secili shtet merr notat nga zero deri në 100.

Aty Shqipëria renditet me 46 %, pas Serbisë 48 % dhe Maqedonisë së Veriut 47%.

Për të kuptuar se çdo të thotë kjo renditje për Shqipërinë, duhet të krahasohet përshkrimi që Liberation i bën Serbisë së Vuçiçit që renditet me vetëm dy pikë më mirë.

“Së bashku me Malin e zi, Serbia është më e avancuara në procesin e integrimit. Por bilanci i Aleksandër Vuçiçit, kryeministër që prej 2014 dhe President i Republikës që prej 2017, është larg standarteve të BE. Ai kontrollon mediat, ka shtuar kultin e personalitetit, zgjedhjet janë bojkotuar nga opozita. Ish ministri i Millosheviçit e kontrollon vendim me një dorë të hekurt, pa nxitur shqetësimin e Brukselit”.

Ndërsa vlerësimi është i tillë për Serbinë që në përqindje ishte më lart, për Shqipërinë të dhënat dhe dhe vlerësimet janë edhe më të zymta.

Gazeta i jep të drejtë presidentit Macron që vuri veton në tetor 2019 ndaj hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë. Liberation thekson se veto u vu duke vendosur si kusht që për këto dy vende, më parë të mundësohet një sistem kontrolli për përparimin e tyre dhe nëse vendi kandidat bën regres, procesi i integrimit ndalet.

“Ky propozim ngjalli polemika të forta në shtypin gjerman dhe britanik sa arritën deri në akuza se Franca do që t’ia lërë Ballkanin Rusisë dhe Kinës – shkruan e përditshmja. Por në shkurt 2020 Komisioni Evropian e pranoi shumicën e propozimeve franceze”.

Pra, përballë hapave pas që po bën demokracia në rajonin tonë, BE si ka mbetur asnjë zgjidhje tjetër veçse të kujdeset që ky virus të mos bëhet më i fortë edhe brenda saj.