Transmetuar më 02-07-2021, 21:48

Pikat kufitare të Kakavijës dhe të Kristalopigjisë në Kapshticë, tashmë funksionojnë gjatë 24 orëve, pa limit maksimal të personave që lejohet të hyjnë.

Këtë e njoftoi sot ambasada e Greqisë në Tiranë. Ajo tha se ndryshimi erdhi nga vendimi me Nr. Δ1α/ΓΠ.οικ.41221/01.07.2021 (ΦΕΚ Β’ Αρ. 2878). Noa.al publikon detajet e vendimit për të ndihmuar cilindo qytetar që mund të përballet me vështirësi në udhëtim drejt Greqisë.

Pika kufitare e Mavromati (Qafë Botë) operon nga ora 8.00 deri në 16.00 (sipas orës lokale të Greqisë), me një limit në hyrje 250 persona në ditë.

Kushtet për të hyrë në Greqi mbeten të njëjta me ato që ishin të vlefshme deri tani. Pra: Çdo person para se të udhëtojë duhet të plotësojë formularin që gjeni këtu.

Para se të nisen duhet të kenë me vete një nga këto dokumente: Vërtetim se kanë kryer dy dozat e cilësdo vaksinë në një institucion shtetëror mjekësor. Kjo do të thotë se nuk pranohen vërtetime të lëshuara nga subjekte private.

Nëse nuk jeni vaksinuar, mund të merrni vërtetim për tampon PCR deri 72 orë para udhëtimit, ose një rapid test deri 48 orë para udhëtimit.

Nëse asnjë nga këto nuk e keni, mund të pajiseni me një vërtetim që keni kaluar kovidin nga 2 deri 9 muajt e kaluar. Për shembull Nëse keni kaluar kovidin në janar, shkoni te mjeku i familjes dhe merrni vërtetimin që duhet edhe në anglisht.

Pasi të keni dorëzuar në doganën greke një nga këto dokumente, doganieri do të kontrollojë PLF tuaj dhe do të lejojë futjen në Greqi. Nëse sistemi automatik EVA do tju zgjedhë për një rapid test, jeni të detyruar ta bëni.

Nëse testi del negativ, vijoni me udhëtimin.

Nëse del pozitiv do të karantinoheni me shpenzimet e qeverisë greke për 7 ditë. Nëse do të keni nevojë për ndihmë mjekësore ose spitalore do të shkoni me shpenzimet e qeverisë greke.

Fluturimet

Në vëmendje të pasagjerëve që udhëtojnë drejt Greqisë, aktualisht drejt Athinës dhe Kretës, ju rikujtojmë që është i detyrueshëm të plotësohet formulari PLF që gjeni këtu, 24 orë para udhëtimit. Në rast se ky formular nuk plotësohet brenda këtij afati, nuk udhëtoni dot.

Pasagjerët do të marrin një kod QR i cili do të përdoret nga Mbrojtja Civile Greke për identifikimin e testit Random Covid-19 pas mbërritjes.

Familjet gjithashtu mund të pranohen me vetëm një e-mail të përbashkët konfirmimi PLF dhe gjithashtu mund të pranohen me kodin e tyre unik PFL/QR.

Deti

Tashmë janë hapur edhe udhëtimet detare. Ju mund të udhëtoni nga Saranda në Korfuz pa limit orar dhe pa limit personash në hyrje dhe dalje. Edhe në udhëtimet detare vlejnë të njëjtat rregulla të renditura më lart nga noa.al