Transmetuar më 03-07-2021, 21:46

Regjisori Edmond Budina e ka cilësuar si historik vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e Teatrit Kombëtar.

Në emër të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Budina kërkon që ambasadori i BE Soreca të shpallet “non grata” pasi sipas tij ai është një “diversant” që ka sabotuar kauzën e tyre.

“Zoti Soreca për mendimin tim në çështjen e Teatrit Kombëtar është një diversant që ka sabotuar çështjen e Teatrit Kombëtar dhe këtë e them me bindje të plotë. Sepse ne kemi bërë disa takime me të dhe ai nuk ka reaguar fare, shkon në gjykatën kushtetuese fshehurazi, ditën që do gjykohej çështja e Teatrit Kombëtar. Pse nuk e bëri publike siç i ka bërë të gjitha të tjerat? Pse nuk u shpreh z.Soreca edhe pas takimit, dhe pasi e zbuluam ne. Të thoshte: I kërkoj Gjykatës Kushtetuese të jetë e paanshme. Këtë duhet të bënte z.Soreca dhe jo të thoshte që do ti akuzoj shpifje, le të na akuzojë, ka për ta parë që të ato shpifje do të dalin të vërteta fjalët tona. Sepse aty padiskutim që është diskutuar për çështjen e Teatrit Kombëtar, dhe ne do të kërkojmë edhe prokurorë, hetues ndërkombëtarë që ta verifikojnë, ta zbulojnë sepse nuk ka asnjë protokoll për atë çka është biseduar atje”, tha Budina në intervistën për emisionin “Kjo Javë” në “News 24”.

Regjisori dhe aktori i njohur tha se Soreca do të përballet me komunitetin europian dhe me SPAK duke u shprehur se Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit do ta denoncojë për veprimtarinë e tij në këtë çështje.

“Ndërkohë që ne na nëpërkëmb ky z.Soreca shkon edhe kërcen valle me pushtetarët e këtij vendi”, shton Edmond Budina. Ai tregon se njerëz në rrugë e kanë ndaluar duke i thënë “bravo të qoftë” për rezistencën që është bërë.