Transmetuar më 08-07-2021, 13:07

Qeveria greke ka vendosur të urdhërojë vaksinim të detyrueueshëm të qytetarëve në këtë vend, duke nisur brenda këtij muaji me disa nga strukturat e shërbimeve publike shtetërore dhe private, për të vijuar në shtator me zgjerimin e kategorive.

Qëllimi i vaksinimit të detyrueshëm është, nga njëra anë, të mbrojë grupet e popullatës që vijnë në kontakt të drejtpërdrejtë me grupet specifike të punës, dhe, nga ana tjetër, të japin një shembull që duhet të ndjekin qytetarët skeptikë, thuhet në argumentimin që qeveria i bën vendimit, raporton noa.al.

Kategoritë që nisin menjëherë ti nënshtrohen vaksinimit të detyrueshëm janë punonjësit në shtëpitë e të moshuarve, pasi atje ka grupe të prekshme dhe mbrojtja e pleqve nga virusi dhe mutacioni Delta është me rëndësi të madhe, thuhet në vendimin që pritet të kalojë për miratim në të gjitha hallkat shtetërore.

Personeli mjekësor ende nuk është vaksinuar plotësisht. Një pjesë kanë refuzuar, të tjerë nuk kanë dashur të vaksinohen pasi thonë se kanë kaluar kovidin dhe kanë antitrupa, kurse plot të tjerë kanë pranuar të marrin vetëm një dozë.

Po qeveria është e shqetësuar se tashmë ka një rritje të rasteve. Ekspertët thonë se më shumë se 2 mijë raste ditore janë të pritshme në javët në vazhdim.

Arsimtarët në të gjitha institucionet shtetërore dhe private do të detyrohen po ashtu të vaksinohen. Kjo sepse funksionimi i qetë i shkollave – të të gjitha niveleve – nga shtatori, pa karantinë dhe pa mësim në distancë, është një synim i vendosur.

Vaksinim të detyrueshëm parashikon vendimi edhe për të gjithë ata që punojnë ose duan të punësohen në çdo sektor ku i shërbehet popullatës. Qëllimi është që të mos kthehen në burim infeksioni ata që punojnë për shërbimet e përditshme që kanë nevojë qytetarët.

Deri tani në Greqi rezultojnë 430 960 të infektuar ndër të cilët 12 739 kanë vdekur.

Aktualisht ka një rritje domethënëse të rasteve ditore nga rreth 700 deri më 1 korrik në deri 2 mijë çdo ditë të javës së fundit. Çdo ditë raportohen dhe deri 10 të vdekur. /noa.al