Transmetuar më 09-07-2021, 12:31

Kryeministri Edi Rama ka përjashtuar ish-kryebashkiakun e Lushnjes Fatos Tushe nga Partia Socialiste i shkarkuar nga detyra pak ditë më parë pas akuzave të SPAK për korrupsion.

Rama u shpreh se shkarkimi dhe përjashtimi i tij janë masa që mund të rishikohen vetëm nëse në fund të procesit, rezulton i pafajshëm nga akuzat e ngritura ndaj tij. Numri një i qeverisë theksoi se PS nuk është zyrë avokatie e të pandehurve por fuqia e votuar nga populli për ta çuar Shqipërinë në majë.

“Të nderuar dhe të dashur kryebashkiakë socialist. Shkaku që e afrojmë në kohë këtë takim të planifikuar për në fund të korrikut është arrestimi i kryebashkiakut të Lushnjes. Ai dhe të tjerët kanë të drejtën e prezumimit të pafajësisë deri në përfundim të gjykimit por nuk është puna e PS të kërkojë pafajësinë e tyre. Ky është rasti për t’iu përsëritur juve dhe atyre që kanë marrë besimin e popullit se PS nuk është zyrë avokatie e të pandehurve por fuqia e votuar nga populli.

Korrupsioni, ryshfet, bakshishi nuk kanë ngjyrë politike por janë e zeza, llumi me të cilët ne duhet të përballemi për të ndërtuar shtetin e të drejtës dhe për të refuzuar mbrojtjen për këdo nga ne që bie pre e tyre dhe të udhëheqim popullin drejt majës ku duhet ta ngjisim Shqipërinë. Fatos Tushe do shkarkohet nga detyra dhe do përjashtohet, masa që mund të rishikohen vetëm nëse në fund të procesit del i pafajshëm”, tha Rama.