Transmetuar më 09-07-2021, 14:35

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha reagoi sot pas vendimit që Edi Rama shpalli për largimin nga Partia Socialiste të kryebashkiakut tashmë të shkarkuar të Lushnjës, Fatos Tushe pasi u arrestua për korrupsion.

Basha thotë se Rama po i përdor kryebashkiakët si koka turku, por, sikurse tha ai, peshku qelbet nga koka.

"Mund të lash duart me një kryebashkiak të korruptuar apo të bësh koka turku bedelët e tu në atë sallë, por shqiptarët e dinë mirë se peshku qelbet nga koka!"

Më herët sot, Kryeministri socialist Edi Rama mblodhi në një takim urgjent në kryeministri kryebashkiakët socialistë që dominojnë pushtetin lokal.

Takimi erdhi pas arrestimit nga SPAK për afera korruptive të kreut të bashkisë së Lushnjes Fatos Tushe. Ai u përjashtua nga detyra menjëherë pas ngjarjes.

Rama u shpreh se shkarkimi dhe përjashtimi i tij janë masa që mund të rishikohen vetëm nëse në fund të procesit, rezulton i pafajshëm nga akuzat e ngritura ndaj tij.

Rama tha se PS nuk është zyrë avokatie e të pandehurve, por fuqia e votuar nga populli për ta çuar Shqipërinë në majë.

"Shkaku që e afrojmë në kohë këtë takim të planifikuar për në fund të korrikut është arrestimi i kryebashkiakut të Lushnjes. Ai dhe të tjerët kanë të drejtën e prezumimit të pafajësisë deri në përfundim të gjykimit, por nuk është puna e PS të kërkojë pafajësinë e tyre" tha zoti Rama.

"Ky është rasti për t’iu përsëritur juve dhe atyre që kanë marrë besimin e popullit se PS nuk është zyrë avokatie e të pandehurve, por fuqia e votuar nga populli" tha kryeministri dhe kryetari i PS Edi Rama.

"Korrupsioni, ryshfet, bakshishi nuk kanë ngjyrë politike, por janë e zeza, llumi me të cilët ne duhet të përballemi për të ndërtuar shtetin e të drejtës dhe për të refuzuar mbrojtjen për këdo nga ne që bie pre e tyre dhe të udhëheqim popullin drejt majës ku duhet ta ngjisim Shqipërinë. Fatos Tushe do shkarkohet nga detyra dhe do përjashtohet, masa që mund të rishikohen vetëm nëse në fund të procesit del i pafajshëm", – tha zoti Rama. /noa.al