Transmetuar më 14-07-2021, 08:22

Të gjithë qytetarët mbi 18 vjeç në Kosovë mund të regjistrohen dhe të vaksinohen kundër koronavirusit. Dhe mund të zgjedhin vetë cilën vaksinë duan të bëjnë.

Kjo u bë e ditur në një njoftim nga Ministria e Shëndetësisë e Kosovës e cila tha se caktimi i takimit për vaksinim është i mundur nga sot.

Ministria tha se të interesuarit duhet të regjistrohen paraprakisht në platformën elektronike eKosova.

Në këtë mënyrë Kosova e ka sfiduar në disa aspekte Shqipërinë: Së pari, ka marrë vetëm vaksina perëndimore dhe të certifikuara nga EMA.

Së dyti ka vendosur që çdo qytetar ta zgjedhë vetë vaksinën që dëshiron të marrë.

Së treti ka hequr çdo limit moshe për vaksinim.

Ndërsa në Shqipëri situata paraqitet krejt ndryshe: Ndonëse qeveria shqiptare e nisi më shpejt se Kosova vaksinimin, ajo ka operuar më së shumti me vaksina turke të prodhuara me formulën kineze CoronaVac të Sinovac.

Ende moshat e lejuara për vaksinim janë 50+. Vetëm për dy ditë në qershor u lejuan moshat mbi 18 vjeç.

Për më tepër nuk mund ta zgjedhësh vaksinën dhe më së shumti mund të kesh opsion, atë ruse dhe atë turko-kineze.

Si po ecën Kosova

Fushata e imunizimit është ndarë në tri faza.

Në të parën u është dhënë përparësi punonjësve shëndetësorë dhe personave mbi 80 vjeç.

Nga mesi i majit është zhvilluar faza e dytë, që ka përfshirë personat e moshës 65 deri në 79 vjeç, ndërsa më 15 qershor ka nisur vaksinimi masiv.

Deri të martën, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në Kosovë janë dhënë 270,641 vaksina.

Mbi 72,400 qytetarë janë vaksinuar me nga dy doza.

Qeveria e Kosovës ka thënë se ka prioritet vaksinimin e 60 për qind të qytetarëve deri në fund të këtij viti.

Në muajin maj, Qeveria ka njoftuar se ka nënshkruar kontratë me kompaninë farmaceutike Pfizer për blerjen e mbi një milion vaksinave të saj.

Kontingjentet nga Pfizer kanë nisur të arrijnë në fund të qershorit.

Kosova ka pranuar edhe donacione vaksinash nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, nga Bashkimi Evropian dhe nga shtetet individuale.