Transmetuar më 14-07-2021, 17:50

Komisioni Statutor i Partisë Demokratike ka miratuar ndryshimet në statut të propozuara nga kryetari Lulzim Basha ndërsa ka rrëzuar propozimet e Edith Harxhit dhe Fatbardh Kadillit.

Në tërësinë e tyre, të tre propozimet kishin në thelb demokratizimin e PD dhe hapjen e partisë, por ndryshe nga Basha, Kadilli dhe Harxhi propozonin sanksionimin në statut të kufizim të mandatit të kryetarit të partisë në 4 vjet në rast të humbjes së zgjedhjeve.

11 pikat e propozuara nga kryetari demokrat do të miratohen gjatë mbledhjes së kryesisë të enjten dhe më pas do i kalojnë Kuvendit Kombëtar të PD për miratim me 17 korrik.

Për herë të parë Basha propozon që rregullat për ruajtjen dhe përdorimin e vulës së partisë të përcaktohen me urdhër të tij dhe jo më me vendim të kryesisë së partisë.

Po ashtu sa i takon përzgjedhjes së kandidaturave për Kuvendin e Shqipërisë nuk futet më në lojë kryesia për udhëzime, por direkt kryetari i partisë i cili i propozon listën Kryesisë së PD që vendos listën përfundimtare të kandidaturave elektorale dhe më pas ia paraqitet për miratim Këshillit Kombëtar.

Basha në propozimet e tij po ashtu ka saktësuar se kandidaturat për organet ekzekutive të pushtetit vendor do të propozohen nga kryetari i partisë, dhe lista më pas do miratohet nga Këshilli Kombëtar

Basha ka shtuar si strukture vendore të partisë edhe Këshillin Koordinues të Qarkut, që drejtohet nga Drejtues Politik i Qarkut, që do të emërohet nga vetë ai.

Në përbërje të Këshillit do të jetë kryetari dhe sekretari i degës deputetët, si dhe koordinatorët përgjegjës për detyra specifike që edhe këta të fundit do të emërohen nga kryetari i partisë me propozim të drejtuesit të qarkut.

Këshilli duhet të mblidhet një herë në muaj dhe duhet të raportojë tek Sekretari i Përgjithshëm çdo tre muaj.

Koordinimi i veprimtarive politike dhe organizatave të degëve të PD-së në nivel qarku si dhe rregullat për drejtimin organizimin dhe zhvillimin e fushatave elektorale për zgjedhjet e përgjithshme dhe ato vendore do të përcaktohen rast pas rasti po me udhëzim të kryetarit të partisë.

Ndryshe nga statuti aktual, kryetari i partisë do të ketë gjithashtu të drejtën që t’i propozojë Kuvendit Kombëtar listën e kandidatëve për Këshill Kombëtar.

Basha ka propozuar që Këshilli Kombëtar të drejtohet nga kryetari, i cili zgjidhet në mbledhjen e parë të konstituimit të këtij këshilli mes të paktën dy kandidaturave alternative ndërkohë që statuti aktual nuk i përfshinte kandidaturat alternative dhe kishte të përcaktuar mandatin e kryetarit të Këshillit.

Ndryshe nga statuti aktual, Basha ka hequr pikën ku një nga nënkryetarët aktuale të partisë të jetë automatikisht edhe kryetari i grupit.

Ndërkohë Basha nuk ka prekur nenin për kryetarin e partisë ku flitet vetëm për mënyrën e zgjedhjes, por jo për kohëzgjatjen e mandatit të tij.