Transmetuar më 14-07-2021, 22:22

Politikania Arta Dade ka komentuar lajmin që vendi ynë do të jetë anëtar i Këshillit të Sigurimit Ndërkombëtar për dy vitet e ardhshme 2022-2023 pas votimit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Dade tha se është e gatshme ti shërbejë vendit dhe të jetë pjesë e ekipit që do të përfaqësojë Shqipërinë.

“Asnjëherë nuk është vonë për ti shërbyer vendit. S’ka arsye për të mos më pëlqyer. Është një sfidë, por është edhe kënaqësi që vendi do të ketë një sitë atje dhe do të shpalosë disa probleme. Në kuadrin e OSBE ku kam qenë 14 vjet ishte përparësi që gratë të kryesonin grupe ku kishte konflikte. Kemi vajtur disa herë kemi vëzhguar zgjedhje dhe vërtetë gratë janë më të prera, më kërkuese dhe më diplomatike”, tha Dade.

Lidhur me anëtarësimin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit në OKB, Dade tha se është bërë një lobim i madh, por nuk përjashtoi edhe faktin që mund të na ketë ardhur radha si vend pasi shumë vende të Europës e kanë pasur këtë detyrë.

“Është një ngjarje e rëndësishme në rrafshin e politikës së jashtme. Shqipëria do jetë e ulur në tryezë me 5 vendet anëtare të këshillit të sigurimit, ku hyjnë SHBA-ja, Britania e Madhe, dhe Irlanda e Veriut, Franca, Kina dhe Rusia. Këto janë anëtarë të përhershëm dhe ka edhe 10 anëtarë të tjerë të përhershëm. Shqipëria është përzgjedhur mes vendeve të Europës Lindore. Është bërë një lobim i madhe dhe shumë vende të Europës e kanë pasur këtë detyrë besoj na kishte ardhur edhe radha. Ne jemi aty për të thënë fjalën tonë. Sa dhe si do të jemi aty për të thënë fjalën tonë besoj se janë harmonizuar. Nuk do shkojmë me pretendimin për ti zgjidhur gjërat por për të kontribuar me mundësitë tona. Për ta fituar këtë sfidë dhe për të lënë një emër të mirë, besoj duhet të përgatitemi për ekipin që do të jetë atje për të përgatitur çdo gjë. Para 20 vjetësh konsiderohej diplomacia si domein i burrave dhe në atë kohë ka pasur vetëm 15 gra në gjithë botën. Europa ka pasur vetëm 5. Unë kam qenë e para ministre e Jashtme”, tha Dade në MCN TV.