Transmetuar më 15-07-2021, 16:04

Jair Bolsonaro, presidenti i Brazilit ka përfunduar me urgjencë në spital mes shqetësimeve për lemzë kronike. Ai u transferua në një spital në São Paulo për t’iu nënshtruar testeve të mëtejshme për një zorrë të bllokuar. Përmes një “tweet”-i, Bolsonaro tha se “do të kthehej së shpejti, me dëshirën e Zotit".

Në fakt, kishte gati një javë që nuk i pushonte lemza, duke i krijuar një situatë tejet të lodhshme. Ka pasur shqetësime në lidhje me shëndetin e liderit të ekstremit të djathtë që kur u godit me thikë në zorrë, ndërsa bënte fushatë më 2018.

Bolsonaro u plagos rëndë dhe humbi 40% të gjakut të tij. Ai ka kryer disa operacione që nga goditja me thikë. Presidenti shkoi fillimisht në spitalin ushtarak në Brasilia, të mërkurën, ku mjekët thanë se do të qëndronte nën vëzhgim për 24 deri në 48 orë.

A presidential convoy with an ambulance transporting Brazil's President Jair Bolsonaro leaves the armed forces hospital (HFA) in Brasilia, Brazil July 14, 2021. REUTERS/Adriano Machado

Por, më vonë, të njëjtën ditë, zyra e presidentit tha se Antonio Luiz Macedo, kirurgu që operoi Bolsonaro më 2018, kishte rekomanduar që presidenti të transferohej në Sao Paulo për analiza shtesë dhe kirurgji të mundshme. Djali i presidentit, Flavio, i tha “CNN Brasil” se babai i tij kishte kaluar një procedurë për të hequr lëngun nga stomaku, si masë paraprake.

Flavio shtoi se babai i tij kishte pasur probleme në të folur dhe, nëse do të duhej një operacion, nuk do të ishte procedurë serioze. Bolsonaro më herët postoi në Twitter një foto të tij të shtrirë në një shtrat spitali, të pajisur me sensorë dhe kabllo, me dikë që qëndron pranë shtratit të tij.