Transmetuar më 15-07-2021, 19:27

Gjykata Kushtetuese i është drejtuar me tre pyetje Komisionit të Venecias sa i përket ankimit të bërë mbi kushtetutshmërinë e procesit të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.

Në këto tre pyetje, ky institucion kërkon të njihet me opinionin e ekspertëve ndërkombëtarë, pikë së pari nëse e gëzon të drejtën për të dhënë vlerësimin mbi procesin zgjedhor, nëse është i drejtë ose jo?

"A mund të interpretohet neni 131, pika 1, shkronja “e”, i Kushtetutës se Gjykata Kushtetuese ka juridiksion për të vlerësuar kushtetutshmërinë e procesit zgjedhor?", thuhet në pyetjen e parë të GJK-së.

Ndërsa pyetja e 2 është: "Duke qenë se parimi i periodicitetit të zhvillimit të zgjedhjeve vendore dhe ai i pluralizmit politik janë parashikuar si parime themelore kushtetuese, cili do të ishte raporti mes tyre në një situatë ku rrezikohet cenimi i secilit parim? Cili parim do të prevalonte mbi tjetrin?".

"Në një situatë të një klime pasigurie juridike, a ka cenuar sjella e autoriteteve publike dhe e partive politike të drejtën e votuesve për të pasur mundësi kuptimplotë zgjedhjeje? A duhej ata të siguronin interesin më të lartë të votuesve?", është pyetja e tretë e këtij institucioni.

Komisioni i Venecias pritet që në mesin e muajit tetor të japë vlerësimin në lidhje me procesin zgjedhor të 30 qershorit, ku opozita nuk mori pjesë i bojkotoi ato. Shoqata e bashkive, që drejtohej nga demokratja Voltana Ademi iu drejtua Kushtetueses për të shpallur të pavlefshme zgjedhjet lokale, duke i kërkuar gjithashtu si pikë të dytë verifikimin e kushtetueshmërisë së forcës Bindja Demokratike në lidhje me procedurat e regjistrimit.

Vendimi i Venecias, mund të shihet edhe si mundësi e Kushtetueses për t’u bazuar në një vendim të sajin, edhe pse i shtyrë në kohë. Në zgjedhjet e 2019-ës, PD dhe LSI i bojkotuan zgjedhjet, ndërsa një pjesë e mirë  e bashkive pati vetëm një kandidatë, të PS-së.

Njoftimi i plotë i Kushtetueses

Gjykata Kushtetuese ka në shqyrtim çështjen e paraqitur nga Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, me objekt: “1. Konstatimin antikushtetues të zgjedhshmërisë/procesit zgjedhor të zhvilluar në 30 qershor 2019 për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore, të kryetarëve të bashkive dhe anëtarëve të këshillave bashkiakë, dhe si rrjedhojë konstatimin antikushtetues të zgjedhjes së anëtarëve të këtyre organeve. 2. Verifikimin e kushtetutshmërisë së veprimtarisë së partisë Bindja Demokratike në lidhje me regjistrimin e saj në gjykatë dhe zgjedhjet e datës 30 qershor 2019”.

Në seancën plenare të datës 23.06.2021, Gjykata Kushtetuese, pasi dëgjoi parashtrimet e kërkuesit dhe subjekteve të interesuara, në bazë të nenit 44/b të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, vendosi të pezullojë gjykimin e kësaj çështjeje dhe të kërkojë një opinion amicus curiae nga Komisioni i Venecias në lidhje me standardet dhe parimet që duhet të merren në konsideratë në çështjen në shqyrtim.

Gjykata, pasi vlerësoi edhe pyetjet e propozuara nga palët, ka çmuar të nevojshme të parashtrojë pyetjet e mëposhtme për të sqaruar aspektet kryesore të këtij gjykimi:

Pyetja nr. 1 A mund të interpretohet neni 131, pika 1, shkronja “e”, i Kushtetutës se Gjykata Kushtetuese ka juridiksion për të vlerësuar kushtetutshmërinë e procesit zgjedhor?

Pyetja nr. 2  Duke qenë se parimi i periodicitetit të zhvillimit të zgjedhjeve vendore dhe ai i pluralizmit politik janë parashikuar si parime themelore kushtetuese, cili do të ishte raporti mes tyre në një situatë ku rrezikohet cenimi i secilit parim? Cili parim do të prevalonte mbi tjetrin?

Pyetja nr. 3 Në një situatë të një klime pasigurie juridike, a ka cenuar sjella e autoriteteve publike dhe e partive politike të drejtën e votuesve për të pasur mundësi kuptimplotë zgjedhjeje? A duhej ata të siguronin interesin më të lartë të votuesve?