Transmetuar më 16-07-2021, 16:59

Numri dy i Partisë Demokratike Edi Paloka, mohon që në mbledhjen e djeshme të Kryesisë së PD-së të ketë patur përplasje me sherr por diskutime energjike sa i takon analizës së zgjedhjeve të 25 Prillit.

Paloka thotë se në mbledhje nuk ka pasur as sherre dhe as përplasje, por diskutime që i shërbejnë të mirës së përbashkët.

Paloka thotë se ai është i vetëdijshëm që në Durrës që ai drejtonte politikisht nuk janë arritur objektivat, por ama të gjithë e dinë sipas tij, manipulimin që iu bë zgjedhjeve të 25 Prillit.

Një ditë më parë në media u raportua se në mbledhjen e Kryesisë së PD-së pati debate mbi raportin e paraqitur mbi rezultatin e zgjedhjeve dhe vlerësimin për çdo drejtues politik të çdo qarku.

Sipas drejtuesve politikë, dokumenti i paraqitur nuk pasqyron realitetin. Edmond Spaho është shprehur i pakënaqur me analizën përfundimtare për qarkun që ai përfaqësonte. Sipas tij, ai e arriti objektivin, duke marrë 5 mandate. Ndërsa Edi Paloka u shpreh se ai dokument duhet ndryshuar.

Nga ana e tij, Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi ka deklaruar se metodologjia e analizës nuk është bërë nga ai, por është bërë sipas një plani nga konsulentët.

Postimi i Palokës:

Eshtë bërë rrugë tanimë që disa media raportojnë për mbledhjet e kryesisë së PD, siç ju leverdis atyre apo kush qëndron pas tyre. Edhe për mbledhjen e mbrëmshme ka ndodhur e njëjta gjë. Kur “lajmet” i japin mediat e Ramës unë as e marr mundimin t’u pergjigjem apo ti përgënjeshtroj, po për fat te keq “viktima” për mbledhjen e fundit janë bërë dhe media pranë opozitës…

Për sqarimin e tyre, por sidomos të opinionit; mbrëmë në mbledhjen e kryesisë së PD nuk ka patur as “sherre” as “përplasje”, por diskutime si në çdo mbledhje për të mirën e punës. Kjo mund të duket habi për atë krahun tjetër, po nuk ka pse të duket e habitshme per PD.

Ajo që une dua të sqaroj është se as dje dhe asnjehere tjeter unë nuk kam thene që “Durresi i arriti objektivat”, e për më tepër të debatoja per këtë se pastaj nuk do isha unë me këmbë në tokë. Nëse do arrinim objektivat dhe projeksionet pavarësisht manipulimeve qe u bene, ne do ishim ne pushtet .

Po objektivi yne nuk u arrit per nje arsye qe nuk ka shqiptar qe nuk e di, e qe eshte manipulimi me te gjitha menyrat i zgjedhjeve te 25 prillit. Kjo del qarte dhe ne analizen e bere por e perseris nuk ka shqiptar qe nuk e di, i madh apo i vogel, i majte apo i djathte qofte. Te tjerat neser ne Kuvend!