Transmetuar më 18-07-2021, 01:15

Shtetet e Bashkuara po përjetojnë një rritje të rasteve dhe vdekjeve me COVID-19, që i atribuohet kryesisht variantit shumë ngjitës Delta të koronavirusit mes njerëzve të pavaksinuar.

Katër shtete me përqindje të ulëta vaksinimi kishib për 40% të rasteve të reja të javës së kaluar, por rastet janë shtuar në të 50 shtetet, thonë zyrtarët.

Dr. Rochelle Walensky, drejtoreshë e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, tha se javën e kaluar SHBA kishte një mesatare ditore prej 26,000 rastesh të reja. Ajo tha se bëhet fjalë për "një pandemi e të pavaksinuarve".

Po të premten, Presidenti Joe Biden i bëri jehonë komenteve të Dr. Walensky, duke thënë, "E vetmja pandemi që kemi është midis të pavaksinuarve."

Biden, tha se rrjetet sociale si Facebook, janë duke “vrarë njerëzit”. Ai i bëri këto komente pasi Shtëpia e Bardhë, ku vazhdoi kritikat ndaj kësaj kompanie, që po lejon postimin e dezinformatave rreth vaksinave për koronavirus.

“Janë duke vrarë njerëzit. Shikoni, pandemia e vetme që kemi është në mesin e të pavaksinuarve”, u ka thënë Biden gazetarëve kur është pyetur rreth dezinformimit dhe cila është përgjigjja e tij ndaj rrjeteve sociale, siç është Facebook.

Zëdhënësja për media e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, ka kritikuar po ashtu këtë kompani. “Qartazi ka hapa që janë marrë. Por këto janë kompani të sektorit privat. Ka hapa shtesë që duhet të marrin. Është e qartë se ka ende për t’u bërë”, ka thënë ajo nga Shtëpia e Bardhë.

Ndërkohë Facebook nuk i ka komentuar ende këto deklarata.

Sipas zyrtarëve amerikanë, rritja e re e numrit të të infektuarve dhe të vdekurve me koronavirus në Shtetet e Bashkuara, është duke prekur personat e pavaksinuar.

Shumë persona janë duke refuzuar vaksinimin, pavarësisht procedurave të lehta në Shtetet e Bashkuara, duke thënë se nuk iu besojnë vaksinave.

Skepticizmi është duke u rritur edhe nga postimet e rreme kundër vaksinës nëpër rrjetet sociale.

Ndërkohë, një grup këshilltarësh qeveritarë ndërkombëtarë thonë se janë të shqetësuar për planet e Anglisë për të hequr të gjitha kufizimet të hënën. Këshilltarët besojnë se kjo do ta linte Britaninë të ekspozuar ndaj varianteve të reja të koronavirusit, duke e shndërruar ndoshta në një vatër përhapjeje.