Transmetuar më 22-07-2021, 09:50

Një 29-vjeçar është arrestuar nga Policia e Fierit, pasi ishte në kërkim për rrëmbimin dhe plagosjen e një personi, ngjarje e ndodhur gushtin e kaluar në Patos.

Noa.al raporton se është ndalur 29-vjeçari Emiliano Selmanaj, i shpallur në kërkim, i dyshuar si bashkautor në ngjarjen e ndodhur në 17.08.2020, në Patos, ku mbeti i plagosur me armë zjarri 31 vjeçari Klajdi S.

Gjykata e Shkallës së Parë Fier, me vendimin e datës 3 shtator 2020, kishte vendosur për Selmanajn, masën e sigurimit “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasje me paramendim” e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Ngjarja ndodhi më 17 gusht 2020 në afërsi të stadiumit në Patos, ku pesë shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, tentuan ta rrëmbejnë me forcë dhe më pas e qëlluan me armë zjarri shtetasin K. S., i cili mbeti i plagosur.

Pesë të rinjtë tentuan që ta fusin me forcë në makinë. Por rezistenca e bërë prej Klajdit, bëri që t’iu ikë nga duart dhe të vrapojë.

Në ato momente autorët e kanë qëlluar me armë, ku plumbat e kapën në shpatull dhe në pjesën e legenit. Ai u dërgua në spital pa rrezik jete.

Pas ngjarjes, policia tha se arrestoi 24 vjeçarin Xh. S., 24 vjeç, banues në Patos si dhe bëri shpalljen në kërkim të Emiliano Selmanaj atëherë 28 vjeç; si dhe V. S., 23 vjeç; A. S., 24 vjeç dhe K. S., 32 vjeç, të gjithë banues në Patos.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Fier thanë se 29 vjeçari Selmanaj, banues në Patos, ishte i dënuar më parë për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.