Transmetuar më 22-07-2021, 14:33

Drejtuesja e prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj ka dalë në një konferencë për shtyp ku ka zbardhur detaje nga suoperoperacioni i koduar “PHISHING” në të cilin ranë në pranga 4 shtetas, u shpallen në kërkim 8 të tjerë, dhe nisi procedimi për një tjetër.

“Prokuroria e Tiranës në bashkëpunim me policinë shtetit, me drejtorinë e Përgjithshme dhe Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës ka arritur të finalizojë me sukses operacionin, pas hetimeve efektive dhe intensive duke arrestuar më së paku katër persona, të cilët janë përfshirë në skema mashtrimi në vlera të mëdha financiare”, deklaroi Imeraj.

Kryeprokurorja e Tiranës, bëri të ditur gjatë konferencës së përbashkët për shtyp se “për shkak të rëndësisë së operacionit, por edhe për shkak të rëndësisë të interesave të prekura dhe të pasojave të ardhura në raport me masën e prekur në raport me këtë gjë jemi këtu në këtë konferencë për shtyp për t’ju bërë të ditur veprimet e këtij operacioni rezultatet e kryera, ku janë ndaluar shtetas të huaj”. Sipas Imeraj, këta shtetas të huaj kanë qarkulluar në Shqipëri me dokumente false prej disa vitesh.

“Këta shtetas të huaj rezultojnë se kanë qarkulluar në territorin e Republikës së Shqipërisë me dokumente të falsifikuara dhe qëndrojnë prej disa kohësh. Edhe në këndvështrim më të gjerë të hetimit është në plan të rangut të planit hetimor, zhvillimi i mëtejshëm i hetimeve’, paralajmëroi kryeprokurorja e Tiranës.

Hetimi i nisura ndaj këtij grupi mashtruesish nisi që në vitin 2020 dhe janë arrestuar shtetasit: Donald Anu, 34 vjeç, shtetas i Kamerunit, alias Ugochukëu Emmanuel Emereibenu 39 vjeç, shtetas i Nigerisë; Marie Goufan, 31 vjeçe, shtetase Kamerune, banuese në Tiranë; Fatbardh Danja, 40 vjeç, banues në Tiranë; Xhentil Kupe, 54 vjeç, banues në Tiranë.

Ndërsa janë shpallur në kërkim 8 shtetas të huaj të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.