Transmetuar më 22-07-2021, 15:55

Refuzuan të bëjnë transparencë mbi burimet e financimit, gjobiten 106 parti politike në Shqipëri. Ato shpërfillën në bllok KQZ duke mos dërguar kurrë informacion se ku gjejnë miliardat që harxhojnë. Gjoba që morën, 1 milion lekë!

Për herë të parë 106 parti politike u gjobiten me shumën modeste 1 milion lekë të reja për mosdeklarimin e raporteve financiare vjetore dhe refuzimin për të bërë transparente burimet e financimit apo për të lejuar ushtrimin e kontrollit nga ana e ekspertëve kontabël të licensuar.

Vendimi u mor nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve në mbledhjen e sotme ku u shqyrtua dorëzimi i raporteve financiare vjetore të partive politike për vitin kalendarik 2020.

Komisioneri vendosi gjithashtu sanksionin administrativ 50 mijë lekë të reja për katër parti politike, të cilat i kanë dorëzuar raportet financiare vjetore jashtë afatit të kërkuar.

Komisioneri shqyrtoi dhe miratoi projektvendimin "Për përcaktimin e vlerës në parà të një vote të vlefshme, për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 25 Prill 2021". Përcaktimi i vlerës së një vote të vlefshme bëhet brenda 10 ditëve nga nxjerrja e rezultatit perfundimtar në shkallë vendi, duke pjesëtuar fondin e përgjithshëm të miratuar nga Buxheti i Shtetit, me numrin e përgjithshëm të votave të vlefshme të grumbulluara nga partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhje, që kanë marrë jo më pak se 1 për qind të votave të vlefshme në shkallë vendi.

Për zgjedhjet për Kuvend të datës 25 prill 2021, vlera në para e një vote të vlefshme është 85 lekë.

Gjithashtu, u shqyrtua edhe projektvendimi "Për kompensimin financiar paszgjedhor që do t’u shpërndahet subjekteve zgjedhore pjesëmarrëse në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë, të datës 25 prill 2021".

Komisioneri vendosi të mos shpërndajë kompensim financiar paszgjedhor për asnjë nga subjektet zgjedhore pjesëmarrëse në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 25 Prill 2021, pasi nuk kanë marrë 1 % të votave të vlefshme në shkallë vendi.