Transmetuar më 23-07-2021, 19:50

Një prej shtyllave të këtij procesi ka qenë vettingu. Dhjetra gjyqtarë e prokurorë u dorëhoqën nga sistemi ende pa hyrë në fuqi ligji, të tjerë u dorëhoqën para se t’u vinte radha për të dhënë llogari në kriteret e profesionalizmit, integritetit dhe pasurisë dhe të tjerë që u shkarkuan nga trupat e rivlerësimit.

Pallati i Drejtësisë në Shqipëri, pesë vjet më parë nisi të shkundet pasi me të 140 votat e Parlamentit, nisi një reformë e thellë, siç u tha, e cila në qendër do të kishte vetingun e gjykatësve dhe prokurorëve.

Por çfarë ndodhi këto vite? Noa.al analizon shifrat që flasin vetë. Në total deri tani janë dhënë 421 vendime. Prej tyre vetëm 174 gjyqtarë dhe prokurorë e kaluan vetingun.

Këta fituan garantimin e vendit të punës pasi letrat e tyre u vlerësuan si të rregullta nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, që është shkalla e parë e këtij procesi të kontrollit të figurës morale, profesionale dhe pasurore të emrave të sistemit të drejtësisë.

E megjithatë, edhe këto 174 vetë që e kaluan vetingun, më së shumti janë kontestuar nga ONM, një institucion vëzhgues dhe verifikues ndërkombëtar. Sepse ka plot prej tyre që njihen nga qytetarët si të korruptuar, por ia dolën që të kopsisin letrat në kohë.

Nga ana tjetër, 155 gjyqtarë dhe prokurorë janë shkarkuar nga detyra. Në ndërkohë, 56 të tjerë dhanë dorëheqjen duke shmangur verifikimin e thelluar të pasurive të tyre.

Po ashtu, 25 raste të tjera janë pa një vendim përfundimtar dhe tetë të tjerë janë në statusin e pushimit të çështjes shqyrtuese. Tre të tjerë janë pezulluar nga detyra për një afat 12 mujor.

Vendimi i parë i marrë nga Vettingu ishte më 23 mars të 2018-s dhe ai shkarkoi Fatos Lulon, që nuk justifikoi pasurinë. Me arsyetimin e mosjustifikimit të pasurisë janë shkarkuar mbi 90 për qind e gjyqtarëve dhe prokurorëve deri më tani.

Apelimet që pasojnë zvarritje

Gjysma e çështjeve të shqyrtuara nga KPK janë apeluar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ose prej Komisionerit Publik me rekomandim të ONM-së.

KPA ka përfunduar shqyrtimin për 109 prej këtyre çështjeve. Në 79 raste është lënë në fuqi vendimi i KPK-së.

Në 17 raste KPA ka rrëzuar vendimin e KPK-së dhe ka shkarkuar subjektet e rivlerësimit dhe vetëm në tre raste ka ndryshuar vendimin e KPK-së duke konfirmuar në detyrë të subjekteve të rivlerësimit.

***

Ndërsa procesi vazhdon, kanë ikur pesë vjet dhe drejtësia është ende e cunguar. Aq sa ministria e Drejtësisë u detyrua të shpallë mbylljen e të gjitha gjykatave të Apelit dule lënë vetëm një në Tiranë pasi nuk ka gjyqtarë që ti shqyrtojnë.

Prokuroritë ndërkohë janë të mbytura me çështje dhe drejtuesit më të lartë thanë edhe sot se janë zhytur në kolaps pasi fluksi i bartur dhe ai që shtohet janë bërë të papërballueshëm.

Pyetja që nuk po ka ende përgjigje, është: Deri kur kështu?!