Transmetuar më 23-07-2021, 19:16

Policia në Durrës tha sonte se ka vijuar në port, operacioni policor i koduar "Rada", për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën trafikimit të lëndëve narkotike.

Në kuadër të këtoj aksioni që nisi 10 ditë më parë më 13 korrik, në Portin e Durrësit, u gjetën dhe u sekuestruan 11 kg e 675 gr. lëndë narkotike kokainë.

Por nga veprimet hetimore të kryera disa ditë në pas, në Port u konstatuan të hapur dy kapakë të njërit prej kontenierëve për llogari të firmës "Alba Exotic Fruit" dhe pasditen e sotme, një  tjetër sasi kokaine është sekuestruar nga antidroga, raporton noa.al.

Në një njoftim zyrtar bëhet e ditur se "në vijim të operacionit "Rada" pasditen e sotme, nga Task Forca permanente që vepron në Portin e Durrësit është ushtruar kontroll i imtësishëm në 10 kontenierë për llogari të kësaj kompanie, ku si rezultat i kontrollit të imtësishëm, në një nga kontenierët u gjetën dhe u sekuestruan 6.5 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë".

Në nisje të operacionit, më datë 13.07.2021, është arrestuar në flagrancë shtetasi B. G., (menaxheri i firmës) dhe është shpallur në kërkim administratori i firmës, shtetasi E. D.