Transmetuar më 23-07-2021, 19:55

Sot në disa media u shpërnda një lajm i Ministres së Arsimit ku thuhej se që të vazhdojnë punën mësuesit duhet të jenë detyrimisht të vaksinuar.

Një mesazh ka mbërritur sot në telefonat e të gjithë mësuesve shqiptarë, ku ju kërkohet të bëjnë vaksinën anti-Covid. Mes të tjerash, në mesazh shkruhet se “Në shtator 2021 i gjithë stafi drejtues, mësimor dhe ai ndihmës i institucioneve arsimore duhet të jetë i vaksinuar”.

Lidhur me këtë lajm ka reaguar Ministria e Arsimit.

Njoftimi i Ministrisë së Arsimit:

Reagim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit

Në lidhje me njoftimet e shpërndara ditën e sotme në disa portale, sa i takon vaksinimit me detyrim të punonjësve mësimorë dhe stafeve ndihmëse, sqarojmë se nuk ekziston asnjë vendim për vaksinim me detyrim.

Kemi të bëjmë me një keqinterpretim të kërkesave për informacion rutinë në zyrat dhe institucionet arsimore, për numrin e mësuesve të cilët janë duke vijuar procesin e vaksinimit me dozën e dytë.

Procesi i vaksinimit është rekomandim i ekspertëve të shëndetësisë për t’u mbrojtur nga COVID-19, por në asnjë rast nuk është i detyrueshëm për asnjë punonjës mësimor apo staf ndihmës në Institucionet Arsimore.