Transmetuar më 26-07-2021, 16:04

Dje u konfirmua zyrtarisht se ka hyrë dhe në vendin tonë. Varianti Delta i koronavirusit po dominon Europën dhe më gjerë aktualisht. Ai është një mutacion shumë herë më i përhapshëm ndër njerëz, ndaj përbën shqetësim vërtet serioz.

“Heda.al”, një platformë inovative e profesionistëve të shëndetësisë shqiptare nëpër botë dhe brenda vendit, që ka si mision shpërndarjen e informacioneve të sigurta me qëllim promovimin e shëndetit të mirë, sjell informacioninin e detajuar shkencor se çfarë është ky variant i Covid-19:

Varianti Delta, i njohur edhe si B.1.617.2, u shfaq për herë të parë në Indi, dhe deri më tani është detektuar në më shumë se 70 shtete sipas WHO. Varianti Delta i SARS-COV-2po shfaqet më infektues se variantet e deritanishme dhe po sjell efekte serioze. Shqetësimi ngrihet sidomos për personat e pavaksinuar dhe për ata që kanë një sistem imunitar më të dobët. Simptomat më të zakonshme të shfaqura pas infektimit me variantin Delta janë: temperaturë, dhimbje koke, kollë dhe rrufë.

Cilat janë simptomat që shkakton Varianti Delta?

Temperatura e lartë është simptoma e vënë re më shpesh. Niveli i virusit në trup (ngarkesa virale) është më i lartë senë rastin e varianteve të mëparshme. Njerëzit e infektuar me Variantin Delta fillojnë të shfaqin simptoma serioze në një kohë më të shkurtër (3-4 ditë). Në Angli, ku varianti Delta përbën 91% të rasteve të reja të infektuara, simptomat më shpesh të hasura janë: dhimbja e kokës, tharje fyti dhe rrufë. Personat në moshë të re mund ta kalojnë në formën e një gripi ose pa simptoma, por ata mund ta transmetojnë virusin te personat më vulnerabël dhe te ato që nuk kanë përfunduar ende ciklin e vaksinimit. Ashtu si dhe për variantet e tjera, duhet treguar kujdes i vecantë kur shfaqen simptoma më serioze si : kollë, marrje fryme, lodhje ose humbje e shijes apo nuhatjes.

Sa infektues është Varianti Delta?

Varianti Delta është 30-60% më infektues sesa varianti Alpha (që u identifikua për herë të parë në Mbretërinë e Bashkuar). Ky i fundit po ashtu ka treguar të jetë 30-60% më infektues sesa varianti origjinal që doli për herë të parë në Wuhan, Kinë

Sa të rënda janë pasojat e infektimit nga Varianti Delta në krahasim me Variantet e tjera?

Nga të dhënat e fundit të vëzhguara nga Instituti i Shëndetit Publik në Angli (PHE), varianti Delta mund të shtojë rrezikun e rasteve të rënda që kërkojnë shtrim në spital, në krahasim me variantin Alpha. Në një analizë të bërë nga ky institut (PHE) në më shumë se 38,000 raste të prekura nga Covid-19 në Angli, personat e prekur nga varianti Delta kishin një incidencë 2.61 herë më të lartë, për t’u shtruar në spital