Transmetuar më 26-07-2021, 17:36

Kërkimi shkencor vazhdon të përparojë. Tani po flasim për një "vaksinë orale", një pilulë e cila do të shërbente si përforcues për njerëzit që tashmë e kanë kryer ciklin e plotë të vaksinimit. Ky ilaç është duke u zhvilluar në Izrael, në laboratorët “Oramed”.

"Vaksina orale" vjen nga një kompani farmaceutike e njohur, është në fazën klinike dhe vetëm pak ditë më parë mori dritën jeshile për disa azhurnime të reja, duke u konsultuar edhe me kompaninë në pronësi të “Oravax Medical. Inc”.

“Oravax” është pronari i vetëm i një teknologjie të vaksinës së grimcave të ngjashme me virusin, që synon tre proteina sipërfaqësore të virusit SARS-CoV-2, duke përfshirë proteina më pak të ndjeshme ndaj mutacionit, duke e bërë vaksinën potencialisht efektive kundër varianteve aktuale dhe të ardhshme të COVID-19.

Ajo po testohet në studime paraklinike kundër varianteve të ndryshme të COVID-19, përfshirë variantin Delta. Kjo “vaksinë orale” nuk ka nevojë për ftohje, as për infermierët që ta injektojnë atë. Gjithkush mund ta blinte në farmaci dhe ta pinte. Kjo do të ishte një goditje përforcuese në luftën kundër pandemisë së koronavirusit, diçka për të cilën OBSH ka punuar dhe ka menduar se si ta adresojë këtë situatë.

Për muaj me radhë, ekspertët kanë besuar se vaksinat përforcuese do të nevojiten si për popullatën e përgjithshme, ashtu edhe për popullatën në rrezik. Nëse është e suksesshme, një “vaksinë orale” do të ofronte përfitime të mëdha logjistike, financiare dhe mjedisore për miliarda njerëz që mund ta merrnin atë, veçanërisht në pjesë të botës ku qasja në kujdesin mjekësor është e kufizuar.

“Vaksina jonë është një kandidate veçanërisht e fortë kundër virusit COVID-19 dhe evolucionit të tij të vazhdueshëm me mutacione. Ne kemi kombinimin unik të tri proteinave në vend të një. Ndërsa Delta dhe variante të tjera paraqesin një sfidë për administratorët e kujdesit shëndetësor globalisht, teknologjia ‘Oravax VLP’ mund të provohet edhe më e rëndësishme në përpjekjen për të luftuar COVID-19”, – tha Nadav Kidron, CEO i “Oramed”.

Aksionet e “Oramed” e mbyllën tregun “Nasdaq” me një rritje prej 10.26% të premten, duke arritur në 14.40 dollarë për aksion, ditën kur u bë publik lajmi se kishte marrë leje nga Qendra Mjekësore Sourasky në Tel Aviv për të filluar provat klinike në 24 të pavaksinuar vullnetarë; në pritje të marrjes së miratimit përfundimtar nga Ministria e Shëndetësisë e Izraelit.