Transmetuar më 27-07-2021, 11:12

Vitin e kaluar, “Super Shelby Cars (SSC) Tuatara”, një super veturë me motor twin-turbo V8 1.750 kf, vendosi rekordin botëror të shpejtësisë për makinat sportive, me shpejtësinë maksimale prej 532.8 km/orë. Ky rekord, megjithatë, u vu në dyshim menjëherë, pasi shumë pretenduan se videoja e rekordit, e publikuar nga kompania amerikane, ishte e rreme.

Më shumë se dyshime të justifikuara, ngaqë pas disa muajsh, SSC pranon zyrtarisht se rekordi nuk është vendosur në të vërtetë. Pranimi i fajit u "zyrtarizua" me një postim të publikuar në Instagram (shihet më poshtë).

Ky është teksti i postimit: “Ne kemi parë pyetjet tuaja prej muajsh dhe i kuptojmë zhgënjimet që keni. Nëse nuk ka qenë e qartë deri në këtë pikë, ne do të dëshironim të pranonim zyrtarisht se nuk e kemi arritur shpejtësinë e deklaruar fillimisht prej 331 mph dhe 301 mph në tetor 2020.

Me të vërtetë na theu zemrën si kompani kur vërtetuam se nuk ishte reale kjo arritje. Ne jemi duke i përqendruar të gjitha përpjekjet për ta thyer barrierën e 300 mph shpejtësi, në mënyrë transparente, zyrtarisht dhe pa asnjë dyshim".

Kompania amerikane, pasi u akuzua nga "njerëzit e rrjetit" se videoja e rekordit ishte false, disa ditë më vonë bëri një përpjekje tjetër, megjithatë, duke arritur "vetëm" mesatarisht 455 km/orë në të dyja përpjekjet. Pra, pa u afruar te 300 milje (482 km/orë). Kompania donte të bënte një përpjekje tjetër në prill, por nuk u finalizua për shkak të një aksidenti që dëmtoi makinën.

“SSC Tuatara” ka motor V9 5.9-litër twin-turbo, i cili jep, falë etanolit, 1.770 kf (me benzinë ​​do të ishte "vetëm" 1.370). Koeficienti i tërheqjes (Cx) është 0.279, një nga më të ulëtit në kategorinë e tij. Falë karbonit dhe materialeve të tjerë të lehtë si alumini, të përdorur për ndërtimin e saj, pesha e Tuatara është 1.247 kg. Regjistron gjithashtu transmisionin automatik me 7 shpejtësi, ndryshimi i ingranazhit i të cilit në Track Mode kërkon vetëm 100 ms.