Transmetuar më 02-08-2021, 11:31

Prej vitesh, Albtelecom, kompania më e madhe e shërbimeve të telefonisë fikse dhe internetit me adsl dhe fibër, sipas raportimeve, rezulton e zhytur në humbje të ndjeshme. Tani, vjen tentativa e saj për të dalë në shitje.

Mergermarket, kompani e specializuar që analizon shitjet dhe bashkimet e bizneseve, njoftoi këto ditë se aksionerët e Albtelecom po shohin mundësitë e shitjes së kompanisë.

Dhe, për këtë proces, kanë kontraktuar një kompani konsulence financiare, EY, e cila më parë ishte e njohur, si Ernst & Young. Sipas burimeve, procesi ende është në një fazë të hershme dhe nuk ka ende një afat për përfundimin e tij.

Raportohet se një kompani e huaj, hungarezja 4iG, e panjohur në Shqipëri, ka shfaqur interes për ta blerë, e po ashtu edhe një tjetër kompani e shërbimeve të komunikimit.

4iG raportoi për vitin e kaluar 161 milionë euro të ardhura dhe fitim para tatimit, 14 milionë euro. Kjo kompani ka rreth 925 punonjës.

Kanë kaluar afro 15 vjet që kur Albtelecom u shit dhe mbi 76 për qind të aksioneve shtetërore i bleu konsorciumi turk CETEL (i përbërë nga aksioneri kontrollues, grupi Çalik dhe aksioneri i pakicës Turk Telekom), për 120 milionë euro.

Por, ky investim, sikurse analizon revista Monitor, nuk ka rezultuar i suksesshëm për kompanitë turke. Që nga privatizimi e deri më sot, Albtelecom ka qenë me humbje, për shkak të dështimit për të fituar pjesë domethënëse në tregun celular, rënies graduale të pjesës së tregut të shërbimeve fikse, por sidomos peshës shumë të lartë të shpenzimeve financiare në bilanc, të lidhura me borxhet e mëdha të kompanisë.

Edhe pse kryeson tregun e shërbimeve fikse të komunikimit, të ardhurat e Albtelecom kanë pësuar rënie me 12% krahasuar me një vit më parë.

Edhe në shërbimet celulare që kanë qenë nën logon Eagle Mobile, situata nuk është e mirë. Më 2020 Albtelecom kishte 16 për qind të ardhura më pak se një vit më herët, ose rreth 13% të të ardhurave totale të tregut pasi dy kompanitë e tjera, One dhe Vodafone kanë "pjesën e luanit".

Sipas pasqyrave financiare të kompanisë, Albtelecom e mbylli vitin 2020 me humbje neto në vlerën e 1.17 miliardë lekëve, në rritje me 82% krahasuar me një vit më parë. Përkeqësimi i rezultatit financiar erdhi nga rënia e bazës së të ardhurave dhe rritja e shpenzimeve financiare. Totali i humbjeve të akumuluara në bilanc, në fund të vitit të kaluar, arriti vlerën e 14.8 miliardë lekëve, ose më shumë se 120 milionë euro.

Foto arkiv