Transmetuar më 03-08-2021, 12:56

Meta nuk dekreton ligjin ‘Për të huajt’: Shqipëria nuk përballon kaq shumë fluks nga vendet e treta

Presidenti i Republikës, Ilir Meta refuzoi të dekretojë dhe ktheu sot për rishqyrtim në Kuvend ligjin “Për të huajt”.

Ai paralajmëroi se Shqipëria rrezikon të përballet me një fluks të lartë të kërkesave të detyrueshme për pranim nga shtetas të ndryshëm të vendeve të treta.

Gjithashtu theksoi se fluksi i shtetasve nga vendet e treta, përtej mundësive dhe kapaciteteve që Shqipëria ka, mund të ofrojë dhe mund të përballojë.

Më tej Meta shtron pyetjen: "Nëse Shqipëria nuk po ofron mundësi punësimi, mirëqënie, stabilitet, siguri dhe garanci për shtetasit e saj, si do të mundet të ofrojë mundësi për të huajt në një masë të gjerë?"

Ligji që kishte përgatitur qeveria jepte hapësira të shumta për ardhjen e të huajve më vendin tonë, sidomos nga vendet e varfra.

Por kjo krijon një situatë që mund të dalë jashtë kontrollit pasi vendi nuk ka kapacitete.

Meta thotë se hapësira ligjore pranimi kaq të gjera të shtetasve të huaj, përmes kritereve të lehtësuara, mund të ndërmerren vetëm pasi të analizohen pasojat e një politike të tillë shtetërore.

Kohët e fundit kryeministri Edi Rama ka promovuar futjen në vend të të huajve nga vende si Bangladeshi, Maroku, Algjeria, Zimbabve, etj. Ai thotë se vendi ka nevojë për fuqi punëtore dhe evidenton se shumë shqiptarë refuzojnë të bëjnë punë të rënda, si ndërtimi. Për z.Rama, zgjidhje është ardhja e të huajve, duke theksuar se ata punojnë edhe me 200 euro rrogë mujore. Kjo mund të jetë e vërtetë pasi niveli dhe kosto e jetesës në ato vende është në këto limite.

Por Shqipëria ka kosto shumë të lartë jetese, më të shtrenjtë edhe se Greqia dhe vende të tjera të BE. Në këto kushte shumë shqiptarë refuzojnë të bëjnë punë të rënda për paga të tilla qesharake. Si zgjidhje, pjesa më e madhe e shqiptarëve të papunë sheh largimin nga vendi. Kjo ka sjellë edhe mungesë të fuqisë punëtore.

Këto, duket se i ka kuptuar dhe z.Meta, i cili thotë se Qeveria po përmbush vetëm një qëllim parësor dhe afatshkurtër, plotësimin e boshllëqeve që po krijon largimi masiv i shtetasve shqiptarë me shtetas të huaj, duke u fokusuar më shumë tek fuqia punëtore.

Është fakt që shpopullimi është drama më e madhe, që po i ndodh vendit. Largimi i trurit, i forcave të reja dhe më krijuese, është një plagë e madhe për vendin, që duhet ndalur sa më parë.

Presidenti vlerëson se mbyllja e perspektivës për të rinjtë është rrënja e shpopullimit të Shqipërisë dhe apelon:

"Adresimi i menjëhershëm i këtij fenomeni është emergjencë dhe çdo neglizhencë e mëtejshme do të kishte pasoja katastrofike".

Meta shpreh bindjen se shqiptarët kanë humbur besimin se kushtet dhe cilësia e jetesës së tyre në vend, mund të përmirësohen, dhe për këtë shkak ata largohen masivisht

Duke analizuar ligjin e ri të Ramës, Meta çmon se shumica qeverisëse nuk ka një strategji shtetërore se si do të duhet t`i përgjigjet me masa konkrete, afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata këtij fenomeni të rrezikshëm.