Transmetuar më 04-08-2021, 01:28

BKT, Banka Kombëtare Tregtare, një ndër më të mëdhatë në Shqipëri dhe Kosovë, ndërpreu masivisht shërbimet e saj në të dy vendet gjatë ditës së martë 2 gusht. Edhe në orët e para të 3 gushtit, shërbimet e saj ishin ende jashtë funksionit.

Kompania e blerë nga turqit, vetëm pak orë para mesnatës duke hyrë 3 gushti, doli me një njoftim të shkurtër ku pranonte se kishte dështuar të martën me ofrimin e shërbimeve duke paralizuar përditshmërinë e shumë njerëzve, përdorues të saj.

"Ju informojmë se për shkak të disa problemeve teknike në sistemin tonë “Qendror Bankar” kemi ndërprerje në disa shërbime bankare. Ekipet e IT dhe partnerët tanë globalë po bëjnë të gjitha përpjekjet për të zgjidhur problemin sa më shpejt të jetë e mundur", thuhet në një njoftim të BKT Kosova që jepte edhe një numër për komunikim në whats app.

Ndërsa BKT Shqipëria në njoftimin e ngjashëm nuk jepte një shërbim të tillë. Shumë klientë u ankuan se shërbimi i klientit doli jashtë loje duke mos iu përgjigjur atyre.

BKT thotë në njoftim se disa shërbime janë ndërprerë, por klientët theksojnë se asnjë shërbim në këtë bankë nuk ka funksionuar gjatë të martës.

Ata pohojnë se as aplikacioni bkt smart nuk ka funksionuar. Edhe pasi hyri e mërkura 3 gusht, ky aplikacioj ishte jashtë funksionit.

Klientët pohojnë se nuk kanë funksionuar bankomatët ATM dhe as shërbimi i klientit. Gjithashtu nuk kanë punuar as pos-et për blerje në njësi tregtare. Kjo ka prekur edhe klientët e bankave të tjera pasi pjesa më e madhe e dyqaneve ka vetëm një pos dhe me të bëhen blerje me karta për klientët e të gjitha bankave.

A ka dëmshpërblim?

Shumë klientë shtrojnë pyetjen: A mban përgjegjësi BKT për këtë skandal me ndërprerjen e shërbimeve.

Ja si shprehet një klient: "Dua te di se çfarë masash do të merrni per dëmshpërblim. Ndjesë dhe keqardhje s’kemi nevojë. Ashtu siç ju na penalizoni per kamatëvonesat me ligj bankar ashtu shpresoj te keni dhe me ligj dëmshpërblimin, mbasi keni bllokuar çdo lëvizje monetare, online, pos, bankomat çdo gjë. Një hall, nje problem, kemi marrë fund falë jush. Shpresoj ta kuptoni situaten qe ndodheni dhe te beni detyren ashtu sikur neve qe nuk arrijme dot ne kohe per kestet qe na takojnë të paguajmë".

Një tjetër klient shtron pyetjen: "Banka me e mire gjoja. Ka që në drekë që s’kryhet asnjë shërbim. Po urgjencat që kemi për ndonjë të sëmurë a ndonjë hall tjetër a mbani përgjegjësi ju qe keni bllokuar çdo gjë. Turp tju vijë!"

Ndërsa një tjetër klient pohon se po të ndodhte kjo gjë nëpër botë, banka kishte marrë fund: "Ooo keni gjet ju se jeni ne shipri se te ishte ky problem nji shtet tjetr neser ishin të falimentuar".

"Rroga po e po qe jemi shkundur po edhe ato pes lek qe na kane ngelur na i kanë bllokuar gjithë ditën kjo është banka me e mire qe na bën reklama gjithë ditën, pa ik bllokoji ti në ndonjë vend të botës nja një orë dhe e sheh ç’penalitete ka banka dhe jo më gjithë ditën. Njerëzit kanë halle ju duhen në moment ato pak kursime që kanë. Pa mos e paguaj një herë kredinë në afatin e përcaktuar e të shikosh kërcet komisioni. Turp shoku turp", thotë një tjetër klient.

Një klient konstaton: "Banka më kot në Shqipëri. Te mos kene mundesi njerezit te terheqin as leket e tyre eshte skandal. Ato përqindjet nuk i harroni ndonjihere kur i mbani".

Klientë të tjerë pohojnë se kanë rendur tërë ditën e martë në turli lloj bankomatesh të bkt me shpresën që të marrin lekët e veta për nevojat që kanë,por kjo gjë u ishte e pamundur.

Një tjetër thekson se ka një javë që përballen me të till probleme.

"POS jo, ATM jo, blerje online jo. Nuk e di cfare sherbimi skandaloz qe eshte ky. Mire leke fizike qe nuk terheqim dot po as pagesa online nuk behen", thotë një tjetër klient.

Kurse një tjetër pyet: "Çfarë ndodh nëse klienti juaj mbetet në mes të 4 rrugëve për shkak se nuk ben dot tërheqje në 10 pika Bkt në Tiranë?

Ndërsa një klient tjetër evidenton problem edhe më të madh duke pohuar se telashet me BKT klientët i vuajnë shpesh: "Po si ka mundesi qe me datat 4-5 gjithmonë kan probleme bankomatet dat rrogash dhe te shtunave e te dielave po prapë nuk punojnë". /noa.al