Transmetuar më 10-08-2021, 16:24

Varianti Delta po përhapet me shpejtësi dhe numri i rasteve po rritet. Në këto kushte, autoritetet shëndetësore në Kosovë bënë thirrje sot që qytetarët të vaksinohen.

Vaksinimi është metoda më e mirë, më e lirë dhe me efikase në luftë kundër COVID-19! Vaksinimi zgjon mbrojtjen natyrore të trupit tonë për të krijuar rezistencë ndaj infeksioneve specifike dhe e fuqizon sistemin imunitar, sqaron IKSHPK.

Sipas tij, vaksinimi parandalon vdekjet dhe komplikimet e rënda, të cilat kërkojnë shtrirjen e pacientit në spital.

Asnjë vaksinë që është në përdorim në Kosovë nuk përmban virus të gjallë që shkakton COVID-19. Kjo domethënë se nuk mund të sëmureni me COVID-19 nga vaksina.

Këtë bëri të ditur sot Instituti Kombëtar për Shëndetin Publik në Kosovë, raporton noa.al.

Ai thekson faktin se Kosova është i vetmi shtet në rajon që ka dhënë vetëm vaksina të miratura nga Agjencia Evropiane dhe Amerikane e Barnave është Kosova. Këto vaksina janë Astra-Zeneca dhe Pfizer.

Këto vaksina kanë sigurinë, cilësinë dhe efikasitetin, që e plotësojnë standardin evropian dhe atë amerikan, thekson IKPSHK.

Disa po ngurrojnë për t’u vaksinuar sepse frikësohen nga efektet anësore të cilat deri tani në Kosovë kanë qenë minimale, por dobia e mbrojtjes nga COVID-19 është shumë herë më e madhe.

"Nëse nuk vaksinohemi mund të rriten rastet e reja duke u përcjellë me shtim të hospitalizimeve, vdekjeve, mbingarkesë të sistemit shëndetësor, rikthim të kufizimeve, goditje të shëndetit mental, shkollës, ekonomisë, kulturë, artit e sportit", paralajmëron IKSHPK.