Transmetuar më 10-08-2021, 21:21

Tre ish-drejtorë të Hipotekës dhe një ish-drejtor i ALUIZNI-t në Korçë janë paditur penalisht nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Sipas KLSH-së, arsye e kësaj padie lidhet me faktin se ata kanë shkelur ligjin sa i përket procesit të legalizimeve, të cilat i kanë sjellë përfitime të padrejta personave të ndryshëm, duke cënuar njëkohësisht interesat e ligjshëm të shtetit.

Kontrolli i Lartë i Shtetit, tha sot se ushtroi auditim në Drejtorinë Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, (ish Drejtoria Rajonale e ALUIZNI-t Korçë si dhe ish-ZVRPP Korçë), me objekt: “Mbi auditimin e ligjshmërisë në kryerjen e procedurave të legalizimit të objekteve informale si dhe auditimin e procedurave të pranimit, administrimit, shqyrtimit dhe miratimin e dokumentacionit për regjistrimin fillestar të pasurive të pa luajtshme dhe evidentimin e ligjshmërisë së mbivendosjeve”.

Nga auditimi kanë rezultuar shkelje të dispozitave ligjore, në lidhje me regjistrimin dhe legalizimin e objekteve informale, të cilat i kanë sjellë përfitime të padrejta personave të ndryshëm, duke cënuar njëkohësisht interesat e ligjshëm të shtetit.

Në lidhje me këto shkelje të evidentuara, KLSH ka kallëzuar në Prokurinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, 3 ish-Drejtor të DVASHK Korçë (ish-ZVRPP Korçë) dhe 1 ish-Drejtor të ALUIZNI Korçë, për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.