Transmetuar më 12-08-2021, 19:27

Rastet pozitive me SARS CoV-2 janë rritur në mënyrë të shpejtë javën e fundit duke arritur sot në mbi një mijë raste ditore.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka realizuar hulumtimin seroepidemiologjik të bazuar në popullatë i shtresuar sipas moshës për infeksionin SARS CoV-2 (COVID-19) në Kosovë, i realizuar sipas protokolit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Ky hulumtim është ndër të rrallët në botë që është bërë i bazuar në popullatë i realizuar nga ekipet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosoves dhe gjashtë Qendrat Rajonale të Shëndetësisë Publike, nga profesionistë të trajnuar në bashkëpunim me OBSH. Të dhënat nxjerrin se rreth 4 në 10 qytetarë të Kosovës janë të imunizuar.

Rezultatet tregojnë se 38.8% e popullatës ka IgG pozitive, ku veçuar sipas rajoneve numri më i madh i personave me IgG pozitiv janë gjetur në rajonin e Prizrenit me 45.6% dhe Ferizajit me 45.3%.

Pastaj, vjen rajoni i Prishtinës me 40.0%, rajoni i Gjakovës me 39.5%, Gjilanit 36.3%, Pejës 35.0%, kurse numri më i vogël i IgG pozitive janë gjetur në rajonin e Mitrovicës me 23.4%.

Pasi që në hulumtimin seroepidemiologjik rezultatet tregojnë se vetëm 38.8% e popullatës ka IgG pozitive, rezultatet e hulumtimit tregojnë qartë se akoma nuk është arritur imuniteti kolektiv i duhur për tu mbrojtur nga Pandemia COVID-19 andaj masa më efikase më e mirë dhe më e lirë është vaksinimi masovik i popullsisë së Republikës së Kosovës.

Andaj fuqishëm rekomandohet vaksinimi masiv i popullsisë mbi 18 vjeç.

Rekomandohet fuqishëm që të vaksinohen të gjithë punëtorët shëndetësor, të gjithë punëtorët arsimor, policia e shtetit dhe administrata dhe e tërë popullata, thotë IKSHPK. /noa.al