Transmetuar më 12-08-2021, 23:00

Ethet e arit kanë kaluar nga Toka lart në hapësirë. NASA ia ka vënë syrin një asteroidi që përmban mjaftueshëm ar, sa për t’i bërë të gjithë njerëzit në Tokë miliarderë.

Agjencia hapësinore amerikane njoftoi se ka vendosur të nisë një mision në asteroidin Psyche 16 në vitin 2022 për të eksploruar origjinën e Sistemit Diellor.

I zbuluar në fund të shekullit të 19-të, Psyche 16 është i vendosur midis orbitave të Marsit dhe Jupiterit dhe është i përbërë prej metali të fortë.

Përveç arit, objekti i rëndë mendohet të jetë i ngarkuar me grumbuj platini, hekuri dhe nikeli. Në total, gjenden të paktën 10 minë kuadrilionë tonë ar i pastër (një kuadrilion ka 15 zero pas).

Nëse ky ar vjen në Tokë, praktikisht e bën të papërfillshme vlerën 65 trilionë dollarëshe të ekonomisë vjetore botërore sepse vlen miliona herë më tepër.

Psyche 16 ka qenë i njohur prej disa kohësh, por potenciali i tij për të shkaktuar shkatërrim në Tokë u diskutua kohët e fundit nga ekspertë. Një minator veteran, Scott Moore, i cili drejton EuroSun Mining, tha se sasia e madhe e arit në asteroid kërcënon të fusë botën në kaos duke nisur me tregtarët e floririt.

“’Titanët e Arit’ tani kontrollojnë qindra pronat më të mira prodhuese në të gjithë botën,” tha ai për Oil Price. “Por sasia e arit që ata sjellin në treg çdo vit zbehet në krahasim me atë në dispozicion në hapësirë.”

Nasa tha se po e fillon misionin për të hetuar asteroidin në gusht të vitit 2022. I quajtur Misioni i Zbulimit, ai parashihet të mbërrijë në Psyche 16 rreth vitit 2026.

Zyrtarisht NASA thotë se po e ndërmerr udhëtimin për qëllime shkencore dhe nuk po planifikon të krijojë ndonjë minierë për sjelljen e arit në Tokë nga ky asteroid që gjendet 200 milionë milje larg planetit tonë.

NASA mendon se Psyche 16 është një asteroid i mbijetuar nga përplasjet e dhunshme të goditjes dhe drejtimit midis planetëve, të cilat ishin të zakonshme kur sistemi diellor po formohej. Kjo do të thotë se mund të na tregojë se si u formuan Toka dhe bërthamat e planetëve të tjerë në gjithësi.