Transmetuar më 16-08-2021, 20:17

Në Shqipëri korrupsioni në fushën e prokurimeve publike është gjerësisht i përhapur, duke sjellë për pasojë dëmtim të konkurencës dhe të efektivitetit të përdorimit të fondeve publike. Sipas Ministrisë së Financave dhe KLSH demi ekonomik në fushën e prokurimeve që prej vitit 2012 llogaritet mbi 120 milionë dollarë, me një mesatare vjetore dëmi afërisht 13 milionë dollarë.

Kjo ka sjellë largim të investitorëve të huaj siç nënvizohet në raportin e publikuar këto ditë nga DASH, për klimën e investimeve. Investitorët, – thuhet në raport, – përmendin mungesën e transparencës në prokurimin publik, ekonominë informale dhe zbatimin e dobët të kontratave si problemet më të mëdha. Ata ndeshen me pengesa të shumta në garat për tendera në sektorë të ndryshëm.

Autoritetet zyrtare thonë se është bërë progres në mënjanimin e procedurave korruptive gjatë prokurimeve publike, duke vecuar dhe ndryshimet e fundit ligjore në ligjin e PP, por ata janë të vetëdijshëm se kjo nuk e ka ndryshuar perceptimin e publikut se korrupsioni në këtë fushë është gjerësisht i përhapur.

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave rezulton se që prej vitit 2012 dëmin më të madh ekonomik në fushën e prokurimeve e kanë shkaktuar ministritë pa portofol, me një vlerë mbi 100 milionë dollarë, ndjekur nga institucionet qëndrore, si Drejtoria e Përgjthshme e Tatimeve, ajo e Doganave dhe agjencitë në varësi të ministrive, me mbi 12 milionë dollarë, për të vijuar me qendrat spitalore, bashkitë dhe shoqëritë aksionere.

Problematika nuk është e panjohur për drejtuesit e vendit. Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me drejtues të ministrive dhe disa institucioneve shtetërore, tha se në 18 muajt e fundit janë kontrolluar mbi 900 procedura prokurimi publik dhe shtoi se 70% e tyre janë problemt8ike në hartimin e kritereve.

“Në problematikën e prokurimeve armiku kryesor janë kriteret e qepura me dorë për kualifikim, të cilat ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në uljen e pjesëmarrjes dhe në ngushtimin e hapësirës së konkurencës së operatorëve ekonomikë në proçedurat e prokurimit publik. Nga 25 institucione, 21 prej tyre 30-50% të proçedurave i kanë vetëm me një operator ekonomik edhe pse gara ka qenë e hapur”- u shpreh Rama.

Por ekspertët janë dyshues ndaj qëndrimeve kritike të Kryeministrit Rama, në lidhje me proçedurat e prokurimeve publike dhe shohin tek ai përpjekje për të shmangur përgjegjësinë direkte.

“Të gjitha shkeljet vijnë nga lart. Varet sa e madhe është shkelja Kryeministri ka dhe një sistem kontrolli zinxhir. Ai i ka të gjitha mekanizmat e kontrollit, që dhe kur një titullar institucioni ka vënë nën kontroll gjithë zinxhirin e vet, kryeministri përdor instrumentat e jashtëm, si Agjensia e Prokurimit Publik, Inspektimi Financiar, Antikorrupsioni, nëse do që të ndëshkojë dikë. Për mendimin tim këto gjërat e mëdha janë shmangie përgjegjësie”- tha për Zërin e Amerikës Azmi Stringa, Pedagog i Financës në një universitet jopublik në Tiranë.

Drejtuesja e Open Data Albania, Aranita Brahaj thotë se, defeket më të mëdha të sistemit nuk qëndrojnë tek tenderimet me një operator në garë, sic tenton ta paraqesë kryeministri. Sipas saj këto tendera janë karakteristike për shuma të vogla.

Problemi, shpjegon Brahaj, qëndron tek kontratat që miratohen me ligje të posacme, apo në tenderat e disa institucioneve të sektorit të infrastrukturës, si Autoriteti shqiptar i rrugëve dhe fondi shqiptar i zhvillimit. Më tej Zonja Brahaj i referohet tenderit të uniformave të policisë që sot po hetohet nga SPAK, i cili ka një vlerë të fondit limit mbi 20 milionë euro.

“Kryeministri po bie në përsëritje, sepse ka qenë po qeveria e tij sapo mori mandatin e dytë qeversiës, e cila për të pakësuar korrupsionin dhe për të rritur efiçensën e tenderime në garë krijoi Agjensivë e Blerjeve të Përqendruara. Ky institucion do të bënte blerje në të gjitha nivelet e ekzekutivit, dhe këto blerje do të garantonin një proçedurë më profesionale të skanimit dhe të vlerësimit. Çfarë ndodhi. Është pikërisht kjo agjensi e cila është shpartalluar tashmë me një hetim të vetëm nga SPAK”- u shpreh Brahaj.

Edhe KLSH ka vërejtuar mangësi të shumta në proçedurat e tenderimit të Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, që lidhen me një konkurencë minimale dhe disa proçedura prokurimi ku janë skualifikuar operatorë, të cilët kanë pasur ofertat ekonomike në vlerë më të ulët se, vlera e ofertave të operatorëve të shpallur fitues.

Ekspertët vërejnë me shqetësim se vlerat e dëmeve në dekadën e fundit nga prokurimet publike janë të larta për një vend si Shqipëria, ku ritmet e rritjes ekonomike janë të ngadalta, borxhi publik i lartë dhe parashikimet për të ardhmen janë ende të paqarta si pasojë e vështirësive që po shkakton Pandemia e COVID-19.