Transmetuar më 18-08-2021, 16:22

Dita Botërore e Fotografisë 2021 po troket dhe ne nuk mund të mos tregojmë aftësitë tona më të mira në këtë fushë përmes telefonit, për të qenë fituesi më 19 gusht.

Klikoni, pozoni dhe postoni; ky pritet të jetë lejtmotivi i kësaj dite ndërkombëtare (nesër). Por, prisni para se të postoni fotografitë tuaja më të mira në rrjetet sociale dhe filloni garën tuaj për "foton më të pëlqyer në Instagram".

A e dini me kë po konkurroni në këtë lojë? Me një vezë. Po, po; një vezë pule ngjyrë kafe, e patëmetë dhe e papjekur. Kjo është fotografia më e pëlqyer në platformën e ndarjes së fotografive, Intsagram.

Në lojën e numrave të "like"-ve, kjo fotografi me vezën në fokus ka lënë pas njerëz të famshëm si Kylie Jenner, Lionel Messi, Ariana Grande dhe Billie Eilish. Askush nuk e arrin rekordin deri më sot.

Fotografia e vezës ishte postimi i parë i ndarë nga një llogari në Instagram, e quajtur ‘world_record_egg’. Titulli ishte ambicioz: “Le të vendosim një rekord botëror së bashku dhe të meritojmë çmimin e postimit më të pëlqyer në Instagram. Mposhtja e rekordit aktual botëror, të mbajtur nga Kylie Jenner (18 milionë pëlqime) është synimi ynë!”

Në fakt, sot fotografia e vezës së pulës ka më shumë se 55 milionë pëlqime. Asnjë fotografi e famshme nuk ka arritur ende standardin e saj në pëlqyeshmëri. Në listën aktuale të fotografive më të pëlqyera në Instagram, Ariana Grande qëndron më pas. Një album fotografish nga dasma e saj me Dalton Gomez ka marrë 26.7 milionë “like” deri më tani.