Transmetuar më 20-08-2021, 12:44

Roveri kinez Zhurong përfundoi misionin e zbulimit dhe eksplorimit në Mars, sipas planifikimit, njoftoi Administrata Kombëtare kineze e Hapësirës (CNSA), citon “Xinhua”.

CNSA bëri të ditur se deri më 15 gusht 2021, Zhurong punoi në sipërfaqen e Marsit për 90 ditë marsiane, rreth 92 ditë tokësore, me të gjitha pajisjet e dobishme për kërkime shkencore.

Sipas agjencisë, roveri do të vazhdojë të lëvizë drejt zonës kufitare midis një deti të lashtë dhe një toke në pjesën jugore të Utopia Planitia, duke kryer aktivitete të mëtejshme.

Tianwen-1, i përbërë nga një modul orbital, një modul uljeje dhe një rover, startoi misionin kinez më 23 korrik 2020.

Moduli i uljes, i cili mbante roverin që do të qëndronte në punë për një kohëzgjatje të pritshme të paktën 90 ditë marsiane ose rreth tre muaj në Tokë, u ul më 15 maj në pjesën jugore të Utopia Planitia, një fushë e gjerë në hemisferën veriore të planetit të kuq.

Zhurong zbriti nga blloku i tij i uljes në sipërfaqen e Marsit më 22 maj, duke filluar eksplorimin.