Transmetuar më 20-08-2021, 15:45

Një aksident tragjik ka ndodhur në rrugën Prizren-Gjakovë duke marrë jetën e dy të rinjve në moshë fare të re, ndërsa tre të tjerë janë plagosur në shkallë të ndryshme, një prej të cilëve në gjendje kritike.

Policia e Kosovës njofton se nga aksidenti kanë humbur tragjikisht jetën dy të rinj të moshave 20 dhe 21 vjeç.

“Në fshatin Piranë, në magjistralen Prizren-Gjakovë me datë 19 gusht 2021, rreth orës 23:40 min, ka ndodhur një aksident trafiku me fatalitet ndërmjet dy veturave lokale, ku si pasojë përveç dëmeve materiale pesë persona kanë pësuar lëndime trupore.

Dy persona nga të lënduarit kanë mbetur të vdekur si pasojë e lëndimeve të rënda nga aksidenti.

Në këtë aksident që shihni në foto, gjithashtu lëndime të rënda trupore dhe me rrezik jete ka pësuar edhe një pasagjer i cili është dërguar në QKUK në Prishtinë, ndërsa dy persona tjerë kanë pësuar lëndime të lehta trupore”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Dyshohet se aksidenti ka ardhur për shkak të pakujdesisë dhe mos përshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes së automjetit duke e humbur kontrollin e drejtimit në rrugë.

Në vendin e ngjarjes përveç policisë, emergjencës dhe zjarrfikëseve ka dalë edhe prokurori i shtetit, i cili ka lëshuar aktvendim që trupat e pajetë të dërgohen në IML në Prishtinë për ekspertizën mjeko-ligjore.