Transmetuar më 20-08-2021, 15:54

Një aksident me fatalitet ka ndodhur në autostradën Prizren-Suharekë, në të cilin janë përfshirë një veturë me targa vendore dhe tjetra me targa të Shqipërisë dhe si pasojë një person ka humbur jetën.

Sipas Policisë, veç viktimës, lëndime trupore kanë pësuar edhe dy persona të cilët fillimisht janë dërguar në spitalin e Prizrenit, kurse njëri prej tyre është dërguar në QKUK për trajtim të mëtejshëm mjekësor.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore, ekipi mjekësor i cili e ka konstatuar vdekjen e viktimës, zjarrfikësit dhe prokurori i shtetit me urdhrin e të cilit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.

Me vendim të prokurorit drejtuesja e njërës nga veturat e përfshirë në aksident, një shtetase e Shqipërisë është dërguar në mbajtje.

Në galeri shihni pamjen nga aksidenti. Dëshmitarët thanë se policia dhe ambulanca vonuan për të paktën 30 minuta që të shkojnë në vendngjarje.