Transmetuar më 20-08-2021, 19:12

Rregullimi i duhur i sediljes para se të nisim ti japim makinës është i rëndësishëm. Por shumë shoferë nuk i kushtojnë vëmendje rregullimit të sediljes gjatë udhëtimit të tyre të përditshëm.

Shumë shpesh trupi nuk është i pozicionuar saktë, rregullimet e nevojshme nuk bëhen, ndërsa mbështetësja e kokës nuk është në pozicionin e duhur. Si rezultat ne nuk ngasim me siguri të lartë.

Rutina e lëvizjes së përditshme, zakonet individuale ose padija, bëjnë që edhe shoferët me përvojë të mos i kushtojnë shumë vëmendje rregullimit të saktë të sediljes. Në fakt, shumë njerëz që përdorin makinën çdo ditë, ankohen për dhimbje në qafë, shpinë ose këmbë.

Sigurisht kjo nuk është vetëm pasojë e çështjeve shëndetësore me të cilat ata mund të përballen, por edhe e pozicionimit jo të duhur të trupit në sediljen e shoferit. Përveç uljes së humorit, kjo mund të çojë në reagime të vonuara, përkeqësim të dukshmërisë me pasojë rritje të shkallës së aksidenteve të rënda me makinë.

Çfarë duhet shmangur

Para së gjithash, sedilja në makinë duhet të stabilizojë trupin dhe të lejojë shoferin të ketë liri të plotë në hapësirën e tij. Prandaj, trupi i shoferit nuk mund të jetë as shumë larg dhe as shumë afër timonit. Sidomos njerëzit që ndihen të sigurt pas timonit, kanë më shumë gjasa të lëvizin sediljen prapa për të pasur më shumë hapësirë  ose të përkulin shpinën prapa në pozicion më të rehatshëm. Një anë negative e këtij rregullimi të veçantë të sediljes është se këmba mund të rrëshkasë aksidentalisht nga pedali me pasoja dramatike.

Zhvendosja e sediljes shumë larg nga xhami i përparmë gjithashtu mund të rezultojë në ulje të dukshmërisë. Shoferët që preferojnë këtë pozicion janë gjithashtu të prirur për të lëvizur kokën përpara, gjë që mund të sjellë dhimbje në qafë.

Zhvendosja e sediljes pranë timonit ka pasoja po aq negative. Në këtë rast, lirshmëria e lëvizjes së timonit dhe lëvizjet e këmbëve në pedale janë të kufizuara dhe në rast aksidenti,  shoferi mund të pësojë lëndime shumë më serioze të shkaktuara nga shpërthimi i airbagut apo edhe të godasë pjesën anësore të mjetit.

Parimet themelore

Megjithëse rregullimi i saktë i sediljes së shoferit është një përgjegjësi individuale dhe varet nga lloji i trupit të shoferit, megjithatë ka parime themelore që duhet të ndiqen për të shmangur dëmtimet dhe problemet shëndetësore, të sjellin rritjen e lirisë së lëvizjes, shikimit, madje edhe drejtimit të mjetit me më shumë profesionalizëm.

Sedilja e makinës duhet të rregullohet në mënyrë që këmba e majtë të lërë mjaftueshëm hapësirë ​​për kçmbën tjetër që në rast nevoje të ushtrojë presion maksimal mbi pedalet.

Elementi tjetër i rëndësishëm, i cili harrohet nga shumë shoferë, është rregullimi i mbështetëses së sediljes së makinës. Pjesa e saj qendrore duhet të jetë në të njëjtën lartësi me qendrën e kokës së shoferit. Kjo do të parandalojë dëmtimet e qafës në rast aksidenti.

Efekti stabilizues në shtyllën kurrizore, të ushtruar nga sedilja e makinës, luan rolin më të rëndësishëm gjatë drejtimit të përditshëm. Kthesat e mprehta në rrugë kanë një ndikim negativ në gjendjen e shtyllës kurrizore. Sidoqoftë, është e mundur të përdoren aftësitë fizike të trupit për të shmangur ngarkesat e gravitetit duke marrë pozicionin e drejtë.

Për këtë arsye është e rëndësishme që shoferi të rregullojë shpinën në atë mënyrë që të mos përkulet shumë përpara ose prapa, por gjithashtu të ulet sa më vertikalisht të jetë e mundur.

Në këtë kontekst, rregullimi i lartësisë së sediljes së makinës është gjithashtu shumë i rëndësishëm. Pozicioni në të cilin e gjithë shpina mbështetet në pjesën e pasme të sediljes, lejon që shoferi të jetë goxha më i sigurt. Sedilja duhet të stabilizojë trupin edhe në kthesa të mprehta dhe kjo është arsyeja pse makinat sportive kanë vende të thella për trupin e shoferit. /noa.al