Transmetuar më 23-08-2021, 17:15

Shtatëmëdhjetë viktima nga koronavirusi u konfirmuan të hënën në Kosovë, bëri të ditur Ministria e Shëndetësisë.

Mes viktima janë një vajzë 20 vjeçare dhe një i ri pak vite më i madh.

Po ashtu kanë vdekur dhe pesë persona rreth 60 vjeç, raporton noa.al.

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës tha se në 24 orët e fundit u konfirmuan edhe 1,067 raste të reja me koronavirus.

Ato rezultuan pas testimit të 7,946 mostrave. Ky fakt evidenton që 13 për qind e të testuarve dolën pozitivë.

Në 24 orët e fundit, 278 pacientë u shëruan nga koronavirusi, ndërsa raste aktive në Kosovë mbeten 20,467.

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar njofton se në klinikat dhe spitalet në Kosovë janë të shtrirë 929 pacientë, prej tyre 723 të konfirmuar me koronavirus.

Sipas njoftimit ditor, 35 pacientë janë në gjendje të rënduar shëndetësore, ndërkaq 688 po trajtohen me oksigjeno-terapi.

Në Qendrën Klinike Universitare, në Klinikën Infektive janë të shtrirë 125 pacientë, në Klinikën Infektive 2 (Mjekësia Sportive) 92 pacientë, në atë të Pulmologjisë 51 pacientë, në Klinikën Infektive 3 (Interno) 28 pacientë, në Gjinekologji po trajtohen 20 pacientë dhe në Pediatri 13 pacientë.

Në Kosovë, javëve të fundit është rënduar situata epidemiologjike. Sipas autoriteteve, 99 për qind e rasteve të reja janë me variantin Delta të koronavirusit, që është variant më ngjitës se varianti fillestar i COVID-19.