Transmetuar më 28-08-2021, 09:53

Nga e djeshma deri më sot ka pasur reagime të ndryshme për dorëheqjen e Mark Markut si deputet i PD. Një veprim i tillë duket se ka shkaktuar pakënaqësi tek reperi "Stresi", i cili njihet si një ‘demokrat i zjarrtë’.

Reperi ka replikuar në postimin e Mark Markut në Facebook duke u revoltuar, pasi sipas tij është dorëzuar përballë Ramës. Ai i thotë se ka pasur respekt për të mirëpo ka vënë re se truri i ka mbetur sa një kokërr gruri.

“Mirditorët që njohim ne, i nderuar Mark Marku, nuk dorzohën kurrë. Ne kemi mbi 30 vjet me të mirat e të keqijat e partisë, prapë nuk dorëzohemi. Dhe do jemi gjithmonë krenarë për kauzën tone… Mirdita të besoj, Kurbini, Lezha, por jo të dorezohesh … kam pasur rrespekt dhe kam per ju sepse jeni njeri i zgjuar, por truri qenka me të vërtetë sa një kokërr gruri”, shkruan Stresi.

Pedagogu i gazetarisë, përmes një shkrimi të gjatë dje, jepte arsyet e këtij vendimi, ndërsa hodhi akuza të forta ndaj Bashës.

Sipas Mark Markut, PD është kthyer në një parti mburojë të interesave të dy liderëve, Sali Berisha dhe Lulzim Basha. “Lulzim Basha është kryetari i Partisë së Sali Berishës”,-shkruante deputeti i zgjedhur i PD.