Transmetuar më 30-08-2021, 15:00

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë raportoi sot një ulje shpresëdhënëse në numrin e vdekjeve dhe rasteve të reja me koronavirus, raporton noa.al.

Gjatë 24 orëve të fundit, në Kosovë, kanë humbur jetën 20 persona nga COVID-19, ndërsa, nga 7.384 testime, 932 kanë dalë pozitiv me virusin.

Një ditë më parë ishin 36 të vdekur dhe 1630 raste të reja.

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) tha më 30 gusht se në spitalet dhe klinikat ku trajtohen pacientët me koronavirus janë të shtrirë 1.250 pacientë. Prej tyre 1.142 janë të konfirmuar me koronavirus.

Sipas raportit ditor, 60 pacientë janë në kujdes intensiv, ndërkaq 1.062 janë duke u trajtuar me oksigjeno-terapi.

Në klinikat e Qendrës Klinike Universitare janë të shtrirë 438 pacientë me COVID-19. Numri më i madh i tyre, përkatësisht 120 pacientë, po marrin trajtim në Klinikën Infektive.

Më herët Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar ka njoftuar se nga data 31 gusht pezullohet përkohësisht puna në ambulancat specialistike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Masa merret për shkak të rritjes së numrit të të hospitalizuarve me sëmundjen COVID-19.

“Hapësirat e ambulancave specialistike do të shërbejnë për spitalizim të pacientëve me COVID-19. Apelojmë tek qytetarët e Kosovës që në QKUK dhe në spitalet rajonale, të drejtohen vetëm për rastet urgjente”, thuhet në njoftimin e SHSKUK-së.