Transmetuar më 31-08-2021, 00:07

Lojtarët online nën moshën 18 vjeç do të lejohen të luajnë vetëm për një orë të premteve, fundjavave dhe festave, ka njoftuar rregullatori kinez i lojërave video.

Administrata Kombëtare e Shtypit dhe Publikimeve i tha agjencisë shtetërore të lajmeve Xinhua se lojërat do të lejohen vetëm nga ora 20:00 deri në 21:00 për tri ditët e fundit të çdo jave si dhe në festa.

Zyrtarët njoftuan se kanë urdhëruar kompanitë që kanë lojëra online që të bllokojnë cilindo të mitur që të mos luajë përtej këtij orari.

Media shtetërore, në fillim të këtij muaji i quajti lojërat online si një "opium shpirtëror".

Kontrollet ndaj kompanive të lojërave në internet do të jenë të shumta dhe të rrepta, për të kontrolluar nëse afatet kohore po zbatohen, tha rregullatori.

Rregullat e mëparshme e kishin kufizuar lojën online të fëmijëve në 90 minuta në ditë, duke e rritur në tre orë gjatë pushimeve.

Por ndërsa më parë ishte 7 orë në javë e më pas 21, tani janë vetëm 3 orë në dispozicion për të miturit.

Lojërat online shihen si një varësi që ka kapur gjithnjë e më shumë fëmijët, sidomos adoleshentët. Ata janë bërë të varur nga lojërat online që po ndikojnë negativisht tek ta.

Në zbatim të urdhrit të qeverisë, gjiganti kinez i lojërave Tencent njoftoi se po aplikon opsionin për njohjen e fytyrës për të ndaluar fëmijët të luanjnë midis orës "policore" 22:00 deri 08:00.

Duke imponuar këto rregulla të reja, qeveria kineze shpreson të krijojë "energji pozitive" tek të rinjtë dhe t’i edukojë ata me ato që Pekini i konsideron "vlera të drejta".

Ndërsa shumë prindër kinezë mund të duartrokasin kufizimin e lojërave, disa në rrjetet sociale të Kinës Weibo kritikojnë ndërhyrjen e qeverisë si "të paarsyeshme" dhe "arbitrare".

"Pse nuk na e planifikon edhe kur unë shkoj në tualet, kur ha bukë dhe kur shkoj në shtrat", – lexohej në një koment sarkastik, raporton noa.al.