Transmetuar më 31-08-2021, 23:18

Instagram do të kërkojë nga të gjithë përdoruesit të futin datën e lindjes para se të përdorin aplikacionin, ka njoftuar Facebook, përmes një komunikate, raporton noa.al.

Sipas njoftimit, duke nisur nga data 1 shtator e në vijim, të gjithë përdoruesve të Instagramit do tu shfaqet një njoftim që u kërkon të deklarojnë datën e lindjes të saktë sipas dokumentit identifikues që ata kanë, duke përshkruar ditën, muajin dhe vitin e lindjes.

Facebook tha se vendimi vjen si pjesë e përpjekjeve të kompanisë për të prezantuar një përvojë të sigurt për fëmijët dhe për përdoruesit e tjerë nën 18 vjeç.

Facebook, pronare edhe e Instagram dhe Whats app, tha se nëse përdoruesit do të shpërfillin deklarimin e datëlindjes, do të mjegullojë postimet e tyre duke i bërë praktikisht të pashikueshme, si hap i parë para çaktivizimit të llogarive për personat e pabindur.

"Ky informacion na lejon të krijojmë veçori të reja të sigurisë për të miturit dhe na ndihmon të sigurohemi që po ofrojmë përvojat e duhura për grupmoshat e duhura," tha kompania në deklaratë.

"Shembujt e fundit përfshijnë ndryshimet që kemi bërë në mars për të parandaluar që të rriturit të dërgojnë mesazhe te personat nën 18 vjeç që nuk i ndjekin ata".

Ndryshime ka dhe për reklamuesit. Ata që synojnë moshat nën 18 vjeç, tani e tutje nuk mund të marrin nga kompania e rrjeteve sociale, asnjë të dhënë demografike të të miturve. /noa.al