Transmetuar më 01-09-2021, 14:19

“R.SH. – Vatikan” ka zbardhur intervistën tepër interesante të Papa Françesku, dhënë për radion spanjolle “COPE”. Për herë të parë ai flet për operacionin që bëri në korrik, trajton çështjet e Afganistanit, Kinës, eutanazisë, abortit etj:

Shëndeti pas operacionit në Gemelli

Gjendja shëndetësore e Papës e përgjigjet e tij për Radio Cope-n u bënë publike këto ditë. Ati i Shenjtë bën shaka me gazetarin e i thotë “Jam akoma gjallë”, duke shpjeguar se një infermier i shpëtoi jetën. Një infermier, që punon prej 30 vitesh në Selinë e Shenjtë e që nguli këmbë të operohej, pavarësisht se disa e mendonin të mjaftueshme kurën me antibiotikë. “Kam 33 centimetra zorrë më pak”, – pohon Papa Françesku, që nuk ndalet e që do të niset për Hungari e Sllovaki nga 12 deri më 15 shtator.

“Dorëheqja? As më ka shkuar nëpër mend”

Ati i Shenjtë përgënjeshtron lajmet e botuara në disa gazeta italiane e argjentinase, që spekulojnë mbi dorëheqjen e tij. “As më ka shkuar nëpër mend, – deklaron, – nuk e di nga e kanë marrë idenë se do të jap dorëheqjen!” Me ironi, Ati i Shenjtë pohon se ky lajm ishte në modë javën e kaluar dhe ia tha pikërisht korrespondentja e Radio Cope-s në Vatikan. Në përgjithësi, i lexon shkarazi gazetat e nuk sheh televizion, prandaj e mori vesh më vonë lajmin. “Sa herë që Papa është i sëmurë, ngrihet gjithnjë një erë, ose një uragan Konklavi”, – nënvizon Ati i Shenjtë.

Kriza në Afganistan

Në intervistë i jepet hapësirë e madhe luftës në Afganistan. Papa pranon se gjendja është e vështirë dhe shpjegon se Selia e Shenjtë po bën përpjekje, në nivelin diplomatik, për të shmangur raprezaljet e talebanëve kundër popullsisë. “Kardinali Pietro Parolin, – thotë për Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, – është diplomati më i mirë, që kam takuar, njeri i marrëveshjeve”. Më pas lavdëron qëndrimin e kancelares gjermane Angela Merkel, e cila pati thënë se nuk mund të eksportohet demokracia në një vend, pa marrë parasysh traditat e popullit të tij.

Pavarësisht se e konsideron të drejtë tërheqjen amerikane nga Afganistani, Ati i Shenjtë nënvizon se duhej të ishte bërë më shumë për të gjetur mënyrën më të mirë të largimit nga vendi.  “Për sa mund të shoh, – pohon Françesku në intervistë, – jo të gjitha mundësitë janë marrë parasysh. Nuk dua të gjykoj, por jo të gjitha opsionet. Sigurisht që ka pasur mashtrim, ndoshta, nga ana e autoriteteve të reja. Unë them mashtrim, ose shumë naivitet, nuk e kuptoj”.

Start at Pompeii the visit to Naples by Pope Francis - Charme

Dialogu me Kinën

Duke mbetur në Azi, Papa trajton çështjen e Kinës dhe të marrëveshjes për emërimin e ipeshkvijve, për një dyvjeçar tjetër. Ati i Shenjtë nënvizon se udha për t’u ndjekur është gjithnjë ajo e dialogut, pavarësisht se në përshkimin e saj mund të ketë gabime dhe hapat e rezultatet mund të jenë të diskutueshme. Por dialogu mbetet udha e vetme për Papa Françesku, i cili frymëzohet nga kardinali Agostino Casaroli, që u përpoq të mbante lidhjet me Europën Lindore, kur ajo ishte nën thundrën e komunizmit. Edhe përvoja e marrëdhënieve me Islamin, me Imamin e Madh të Al-Azharit, sipas Atit të Shenjtë, konfirmon rëndësinë e dialogut e të gatishmërisë për dialog.

Eutanazia, shenjë e “kulturës përdor e hidh”

Me të njëjtën forcë, Papa flet për eutanazinë, duke pasur parasysh ligjet e fundit të miratuara në Spanjë. “Ligjërimi i kësaj praktike, – nënvizon ai për Radio Cope-n, – është shenjë e kulturës përdor e hidh, që ndikon shumë në dimrin demografik të Perëndimit. Kisha kërkon që njerëzit të ndihmohen për të vdekur me dinjitet, duke përdorur mëshirën, jo eutanazinë”. Nga Ati i Shenjtë nuk mungojnë kritikat për abortin, që s’është tjetër, veçse “përdorimi i një sikari për të zgjidhur problemin”. Papa shpreh më tej shqetësimin edhe për klimën e për ambientin në përgjithësi, duke shpresuar të jetë i pranishëm në Konferencën e OKB-së mbi ndryshimet klimatike (COP26), që do të mbahet nga 1 deri më 12 nëntor në Glasgow.

Familja, futbolli, lotët

Në përfundim të intervistës, edhe disa çështje të tjera kishtare si udha sinodale në Gjermani, pastaj pavarësia e Katalonjës e politikat migratore, për të cilat Papa argjentinas thekson sërish katër fjalët: “Mikpritje, mbrojtje, promovim, integrim”. Më pas, marrëdhëniet familjare të Atit të Shenjtë, si ai me gjyshen, Rozën, skuadra e tij e dashur e futbollit San Lorenzo e fakti që ndihet “mëkatar, i cili përpiqet të bëjë mirë”. Papa Françesku pohon se nuk derdh lot lehtë, megjithëse disa situata e trishtojnë jashtëzakonisht. Ai rrëfen se nga Buenos Ajresi i mungojnë vizitat nga një famulli në tjetrën, ose ditët me mjegull të vjeshtës argjentinase, kur dëgjonte muzikën e kompozitorit Astor Piazzolla: “Do të më pëlqente të ecja rrugës, por duhet të përmbahem, sepse nuk do të mund të bëja as dhjetë metra”.