Transmetuar më 04-09-2021, 09:38

Samiti Global i Tregtisë së Shërbimeve në kuadër të Panairit Ndërkombëtar për Tregtinë e Shërbimeve të Kinës (CIFTIS) për vitin 2021 u hap të enjten në Pekin.

Kjo veprimtari ndërkombëtare po zhvillohet si në internet, ashtu edhe në terren, në sfondin e ringjalljes saë pandemisë së COVID-19 në shumë pjesë të botës dhe rimëkëmbjes së ngadaltë të ekonomisë globale.

Presidenti kinez Shi Gjinpin (Xi Jinping) përshëndeti panairin duke theksuar  rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit ndërkombëtar në tregtinë e shërbimeve dhe njoftoi një numër masash për të nxitur hapjen e Kinës, për të zgjeruar bashkëpunimin, për të përmirësuar rregulloret në fushën e shërbimeve dhe për të mbështetur zhvillimin e nxitur nga risitë të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Gjatë këtij edicioni do të organizohen pesë forume, si dhe 193 takime forumesh dhe aktivitetesh mbi promovimet dhe negociatat.

Sipërfaqja e përgjithshme ekspozuese në panair sivjet është 130 000 metra katrorë, me një rritje prej 18 për qind në krahasim me një vit më parë.

Panairi ka tërhequr më shumë se 12 000 kompani nga 153 vende dhe rajone, me një rritje 52 për qind të ndërmarrjeve pjesëmarrëse krahasuar me vjet. 2 400 prej këtyre kompanive do t’i paraqesin produktet dhe shërbimet e tyre në terren.

Rreth 20 për qind e tyre përfshihen në listën e 500 kompanive kryesore të botës të revistës “Fortune” ose janë ndërmarrje udhëheqëse në sektorët e tyre, 9 pikë përqindjeje më shumë se vitin e kaluar.

Zona e ekspozimit për vendet e ndryshme është 7 000 metra katrorë, mbi pesë herë më shumë se në edicionin e mëparshëm.

Numri i vendeve dhe organizatave ndërkombëtare që marrin pjesë në parair sivjet është më i madhi në histori, me Gjermaninë, Serbinë, Filipinet, Vietnamin dhe Kamboxhian që dërgojnë delegacione për herë të parë.

Irlanda është vendi i ftuar i nderit këtë vit.

Panairi Ndërkombëtar për Tregtinë e Shërbimeve i Kinës mbahet nga 2 deri më 7 shtator në Pekin.