Transmetuar më 04-09-2021, 23:45

Kur në Shqipëri nisi fushata e vaksinimit, kryeministri Edi Rama doli në media dhe tha publikisht se vaksina nuk mund dhe nuk do të jetë e detyrueshme.

Ai u angazhua se nuk do të detyrohet askush ta bëjë vaksinën, por disa muaj më pas, doli me një tjetër qëndrim: Vaksinë e detyrueshme.

Në deklaratën e para pak ditëve tha se të gjithë studentët duhet të vaksinohen përndryshe nuk futen në mësim e për rrjedhojë i thonë lamtumirë universitetit.

Po ashtu shpalli vaksinë me detyrim edhe për pedagogët, mësuesit, etj.

Menjëherë më pas, Komiteti Teknik i Ekspertëve doli edhe ai në media dhe vulosi shpalljen e vaksinës me detyrim, duke nisur me studentët, pedagogët, arsimtarët e tjerë, forcat e policisë, mjekët, etj.

Këto urdhra që nuk dihet nëse janë kthyer në shkresa zyrtare dhe nëse kanë bazë ligjore, nuk u shoqëruan me elementë të rëndësishëm si, çfarë duhet të bëjnë personat që e kanë kaluar kovidin dhe kanë antitrupa.

Po ashtu lind pyetja, si mund të vendosësh ultimatum 30 shtatorin që të vaksinohen të gjithë këta persona. Po në rastet kur ata janë të infektuar dhe as që mund të vaksinohen?

Dr. Ilir Alimehmeti, epidemiolog, anëtar i Akademisë së Shkencave, duke iu referuar disa studimeve serioze këmbëngul që askush që ka kaluar kovidin nuk duhet të vaksinohet.

Në këto kushte çfarë do të bëhet me këta njerëz. Ata praktikisht gjenden në dilemë që lidhet me jetën e tyre.

Lind pyetja, kur Komiteti Teknik shpall të tilla teza, a është konsultuar me ekspertët që rekomandojnë fort si më sipër?

Nga ana tjetër, a meritojnë qytetarët një sqarim nga kryeministri, përse ndryshoi në pak muaj qëndrim lidhur me vaksinën?