Transmetuar më 06-09-2021, 10:10

Këngëtarja e njohur Dafina Zeqiri ka ndaluar këto ditë te historia e saj personale për t’i dhënë fokus një çështjeje shumë me rëndësi, pikërisht dhunës së dikurshme nga ish-i dashuri.

Me të vërtetë ajo s’përmendi emër, por ekzistojnë fakte të shkruara që fjala është për Krenar Çoçaj, i përfolur vitet e fundit për lidhjen me Luana Vjollcën.

Dafina ka reaguar sa i përket rastit të 18-vjeçares nga Ferizaj, që humbi jetën pas rrahjes makabre nga bashkëshorti. E kështu, këngëtarja mes të tjerash ka treguar se edhe ajo vetë ka qenë në një lidhje, ku është abuzuar fizikisht pasi ishte akuzuar për një tradhti, sipas saj, të supozuar.

Duke ndarë përjetimin e saj personal, ajo mes tjerash është shprehur: “Si është e mundur! Sa herë që një grua dhunohet, abuzohet, kërcënohet e madje vritet, një nga arsyetimet e atij ‘tipit’ është: Ajo po më tradhtonte/ Ajo donte/ Ajo ma kërkoi një gjë të tillë. Dhe ju i besoni? Ajo e ‘kërkoi’ këtë? Ndaloni së lejuari që të akuzuarit të marrin vëmendje nga gabimet e tyre. Ndaloni abuzuesit nga kryerja e krimeve dhe fajësimi i gruas. Ndaloni akuzuesit që të njollosin një grua. Unë kam qenë në një lidhje shumë abuzive në fillimet e karrierës, dhe gjejeni pak kë e fajësonin. Mua! E njëjta gënjeshtër nën emrin tim: Ajo po më tradhëtonte. Unë kurrë s’kam marrë ndihmë apo përkrahje nga sistemi sepse ishte shumë i korruptuar. Për vite të tëra, unë pranoja komente. Përderisa ai ‘tipi’ vazhdonte me kokën lart, i lumtur, sepse kishte vëmendjen”.

Po le të ndalojmë pak te historia e artistes me ish-menaxherin e saj dhe rrahja që përfundoi në Gjykatë me protagonistë Dafina Zeqirin, Ledri Vulën dhe Krenar Çoçajn, i cili akuzonte dy artistët pë tradhti.

Dafina sapo kishte mbërritur në Prishtinë nga Amerika, dhe Krenari ishte ai që e futi në tregun e muzikës. Në atë kohë u fol se ata kishin një lidhje toksike dhe pas një sherri të fortë, Dafina u nxjorr nga shtëpia ku jetonin së bashku në mes të natës.

Por kjo ishte vetëm maja e ajsbergut. Në vitin 2017, mediat e Kosovës e zbardhën historinë e plotë të këtij skandali të madh xhelozie, kur Ledri Vula dhe Krenar Çoçaj u përballën në Gjykatë dhe shkak për këtë ishte bërë këngëtarja.

Reperi kosovar Ledri Vula dhe biznesmeni që menaxhonte disa nga këngëtarët e rinj të Kosovës, Krenar Çoçaj, u përballën në sallën e gjyqit katër vite më parë pas një sherri mes tyre.

Çoçaj bashkë me Gazmend Mirenën akuzoheshin se natën e 7 qershorit 2012, kishin sulmuar Ledri Vulën. Raportohet se ata i kishin zënë rrugën me makinë dhe e kishin nxjerrë këngëtarin nga mjeti i tij në njërën nga rrugët kryesore të Prishtinës, e më pas e dhunuan.

Nga ky sulm, Ledri Vula kishte marrë lëndime trupore.

Sipas aktakuzës, Gazmend Mirena e kishte goditur Vulën me revole në vetullën e majtë dhe në kokë, ndërsa Krenar Çoçaj me shufër hekuri në shpinë dhe në kokë.

Si rezultat, të akuzuarit Mirena dhe Çoçaj kishin kryer veprën penale lëndim i lehtë trupor, ndërsa Mirena akuzohej edhe për veprën penale të përdorimit të armës, mjet ky i cili kishte shërbyer për rrahjen e viktimës. Dy të akuzuarit, Mirena dhe Çoçaj, nuk e pranuan fajësinë për asnjërën nga veprat penale për të cilat akuzoheshin.

Ndërkaq, përfaqësuesi i Vulës, Tomë Gashi, besonte se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor do të vërtetohej fajësia e të akuzuarve sepse, sipas tij, në bazë të deklaratës së Vulës, të akuzuarit janë identifikuar si sulmues ndaj tij. I dëmtuari Ledri Vula doli para trupit gjykues në cilësinë e dëshmitarit, dhe e rrëfeu ngjarjen e natës së 7 qershorit të vitit 2012.

Ai tregoi se në natën kritike kishte shkuar me Getoar Selimin në studion e “BabaStars” për të dëgjuar incizimin e një kënge të këngëtares Ronela Hajati.

Në studio ishin takuar me Fidan Demollin e më pas që të tre së bashku ishin larguar nga zyra dhe kishin shkuar në drejtim të automjetit të tyre.

Sipas Ledri Vulës, në momentin që hynë në makinë, Getoar Selimi i kishte bllokuar dyert në mënyrë elektronike, ndërsa kur Gazmend Mirena i kishte bërtitur “Dil jashtë, dil jashtë”, ai “nga hutimi i kishte zhbllokuar dyert”.

“Arsyeja pse kam vendosur të dal nga makina, të them të drejtën ,është sepse Gazmendin e kam njohur dhe nuk ma ka marrë mendja që do të më godasë me të parën”, tha Vula.

Këngëtari u sulmua nga Çoçaj me një shufër metalike, ndërsa Gazmend Mirena e kishte goditur me qytën e pistoletës dhe Ledri Vula ishte rrëzuar në tokë.

“Kur më ka godit Gazmendi, e di që m’u ka ba zi dhe instiktivisht i kam qit duart në kokë”, tha Vula. Ai u shpreh se të akuzuarit nuk i kishin ndalur goditjet.

“Në një moment janë ndalur dhe unë jam ngritur në këmbë dhe kur kam tentuar të iki, më kanë goditur edhe një herë nga mbrapa. Pasi kam filluar të vrapoj, ata më kanë ndjekur dhe më ka ra telefoni nga xhepi, jam kthyer me marrë telefonin dhe gjaku më rridhte vazhdimisht. Pastaj e kam parë Getoarin duke tentuar që t’i ndal pasiqë ata tentonin që të më sulmonin nga mbrapa”, shtoi Vula.

Ai u shpreh gjatë seancës gjyqësore se motivi i ngjarjes ishte xhelozia e Çoçajt për Dafina Zeqirin.

“Motivi i sulmit ishte Dafina, pasi që pas Krenarit kam qenë unë në lidhje me të”, tha Vula.

Në këtë seancë gjyqësore si dëshmitarë okularë, të ftuar ishin Getoar Selimi dhe Fidan Demolli.

Këta të fundit nuk u paraqitën në Gjykatë për dhënien e dëshmisë, pasi Getoar Selimi ndodhej në Shqipëri, ndërsa dëshmitari tjetër Fidan Demolli ishte jashtë vendit në Gjermani.

Ndërkohë, Dafina Zeqiri aktulisht është në një lidhje të bukur me Dj Geek, ndërsa me Ledri Vulën ruan marrëdhënie të mira.Panorama+