Transmetuar më 08-09-2021, 12:31

Një revolucion komercial mund të konsiderohet ajo që po ndodh në Kinë, ku është shtruar terreni për hapjen e mijëra njësive tregtare që afrojnë gjithnjë e më shumë markat më të njohura ndërkombëtare në kryeqytetin kinez dhe disa rajone të tjera kryesore të vendit.

Autoritetet në Pekin njoftuan masat që parashikojnë hapjen e mijëra dyqaneve të reja në 5 vitet e ardhshme, për ta transformuar qytetin në një qendër të konsumit ndërkombëtar, raporton noa.al duke cituar agjencinë e lajmeve Xinhua.

Në planin e publikuar nga Byroja e Tregtisë së Bashkisë Pekin thuhet se kryeqyteti kinez do të realizojë projekte specifike, mes të cilave ato të përqendruara në pika të reja referimi për konsumin, markat e reja, konsumin digjital dhe zhvillimin e konsumit kulturor, turistik, sportiv, arsimor dhe mjekësor.

Brenda vitit 2025 në Pekin parashikohet hapja e mbi 3 mijë pikave të shitjes me mallra të cilësisë së parë dhe marka kombëtare jashtë vendit.

Kryeqyteti kinez do të ndërtojë rreth 10 zona me marka kombëtare historike dhe do të paraqesë më shumë se 100 marka të reja konsumi.

Yan Ligang, shefi i Byrosë, shpjegoi se pas angazhimit 5-vjeçar, Pekini do të shndërrohet në qendrën e konsumit ndërkombëtar me influencë, konkurrueshmëri dhe reputacion në nivel global.

Në korrik, Kina aprovoi kandidaturën e Pekinit, Shangait, Guangzhou, Tianjin e Chongqing si qytete ku do të ngrihen qendrat e konsumit ndërkombëtar.