Transmetuar më 10-09-2021, 01:14

Ushqimet e shëndetshme që meritojnë një vend në pjatën tuaj nëse doni të përmirësoni dietën ose ta bëni atë më… interesante

TIRANË, NOA.AL – Ndërsa shumë receta dietike përjashtojnë grupe të tëra ushqimesh, në fakt mënyra më e mirë për të humbur peshë dhe për ta mbajtur atë është bërja e një diete të shëndetshme.

Në fund të fundit, përqëndrimi në lëndët ushqyese në produktet që hani, jo vetëm që do të përmirësojë shëndetin tuaj të përgjithshëm dhe do t’ju ​​japë më shumë energji, por gjithashtu do të bëjë që të humbni peshë pa e kuptuar fare.

Pra, gjithmonë duhet të keni parasysh se çelësi i një peshe të shëndetshme është një dietë e ekuilibruar dhe jo një dietë ekstreme, kufizuese që në afat të gjatë do të rezultojë joefektive.

Duke përkthyer këtë informacion të qendrës kombëtare greke të nutricionizmit, noa.al ju rendit më poshtë se kush janë 6 ushqime super të shëndetshme që meritojnë një vend në pjatën tuaj nëse doni të përmirësoni dietën ose ta bëni atë më shumë interesante.

Avokado

I pasur me acide yndyrore të pangopura, magnez dhe antioksidantë, avokado mbron zemrën, sytë, si dhe rrit funksionin e trurit. Në fakt, falë përmbajtjes së lartë të yndyrnave të mira, avokadot sjellin ndjenjën e ngopjes më shpejt, duke parandaluar nevojën për të ngrënë më pas.

Edhe pse avokado është një ushqim jashtëzakonisht ushqyes që meriton një vend në dietën tuaj, duhet ta konsumoni atë në mënyrë të moderuar, pasi gjysma e një avokado është ekuivalente me një lugë e gjysmë vaj ulliri, për sa i përket kalorive. Vetëm për shkak se është një ushqim i shëndetshëm nuk do të thotë që konsumimi i tij i pakontrolluar nuk mund t’ju ngarkojë me kalori të panevojshme. Në fund të fundit, kjo vlen për të gjitha ushqimet.

Brokoli

Brokoli mund të quhet një produkt i keqkuptuar. Është një perime që të vegjëlit dhe të moshuarit e urrejnë, por kjo është e gabuar. Brokoli hahet e gjitha, nga kërcelli e deri te bohçet e tij.

Është një burim i shkëlqyer i vitaminës A dhe C, si dhe elementë të tjerë për të cilët ka nevojë trupi ynë, siç janë hekuri dhe kalciumi.

Manaferrat

Në përgjithësi, frutat dhe veçanërisht manaferrat mund të kënaqin dëshirën për ëmbëlsira pa ju ngarkuar me kalori të panevojshme. Mjedrat, manaferrat dhe boronicat janë të pasura me polifenole që promovojnë shëndetin dhe kanë një përmbajtje shumë të ulët të karbohidrateve. Provojini ato si një shtesë në kos.

Kuinoa

Quinoa ka një përmbajtje shumë të lartë të proteinave, por gjëja më e habitshme është se, ndryshe nga shumica e ushqimeve bimore, është një burim i proteinave të plota dhe furnizon trupin e njeriut me aminoacidet e nevojshme, të cilat nuk mund t’i sintetizojë vetë.

Kjo në thelb do të thotë që cilësia e proteinave të saj është e ngjashme me atë të qumështit, mishit, shpendëve dhe peshkut, të cilat i përkasin kategorisë së proteinave të plota.

Është gjithashtu një burim i mirë i kalciumit, antioksidantëve dhe acideve yndyrore të pangopura, ndërsa përmban edhe fibra dietike, fosfor, magnez, hekur dhe vitaminë B.

Lakra e kuqe (vjollcë)

Lakra e bardhë dhe e kuqe janë një burim i shkëlqyer i vitaminës C, një burim i mirë i manganit, acidit folik, vitaminave B dhe kaliumit, si dhe antioksidantëve. Megjithatë, lakra e purpurt ka më shumë antioksidantë (p.sh. antocianinat, të cilave u detyrohet ngjyra e saj), ndërsa përmbajtja e vitaminës C është 6-8 herë më e lartë se tek ajo e bardhë.

Kivi

Pamja e tij me push, si dhe shija e ëmbël dhe e thartë e tij mund të mos e bëjnë atë zgjedhjen tuaj të parë kur dëshironi të hani fruta, por kivi është fruti më i pasur me vitaminë C (92.7 mg për 100 g).

Në fakt, ka një përmbajtje 20% më të lartë të vitaminës C sesa një portokall, ndërsa është gjithashtu një burim i mirë i kaliumit, magnezit dhe fosforit e deri fibrave. /noa.al