Transmetuar më 09-09-2021, 09:59

Dy politikanë kanë mbetur të vdekur mbrëmjen e djeshme në Komunën e Pejës në Kosovë. Pas njoftimeve të para u bë e ditur se bëhet fjalë për kandidatin për kryetar të kësaj komune nga radhët e PDK-së, Astrit Ademaj dhe ish-kandidatin e PDK-së për Deçanin, Blerand Kadriaj.

Sipas Express, dy viktimat dyshohet se kanë qenë në një lokal dhe për një moment kanë sulmuar njëri tjetrin. Dyshohet se Ademaj e Kadriaj kanë shkrepur armën ndaj njëri tjetrit, duke mbetur të dy të vrarë.

I plagosur nga shkrepja e armëve ka mbetur vëllai i Astrit Ademajt, Avni Ademaj.

Policia ka konfiskuar dy armë nga vendi ngjarjes ku dyshohet se ka ndodhur rasti dhe të cilat dyshohet se janë përdorur nga të dyshuarit.

Një person ndërkaq është arrestuar, e lajmin e ka konfirmuar Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla.

Lidhur me ngjarjen, kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka tregur se familja Ademaj kishte probleme të mëhershme me familjen Kadrijaj dhe sipas informatave jozyrtare, të dy viktimat janë takuar sonte për të gjetur një zgjidhje për mosmarrëveshjet e mëhershme.

Muhaxheri nuk ka dhënë detaje se çfarë problemesh kanë pasur, por që ka thënë se kjo nuk ndërlidhet me motive politike.

“Është një rast tragjik që ka ndodhur në qytetin e Pejës, janë vrarë dy djem të rinj. Nga informatat e para që i kemi ka qenë një konflikt momental, por që ka qenë edhe më i hershëm dhe ngjarja ka ndodhur para shtëpisë së vëllezërve Ademaj. E kanë pasur një konflikt të më hershëm dhe sonte janë takuar për të zgjidhur problemet mes tyre. Kanë qenë në lokalin e familjes Ademaj”, ka thënë Muhaxheri.