Transmetuar më 09-09-2021, 12:42

Ka raste kur fjalët nuk kanë asnjë kuptim, kur dhembja shkon përtej dhembjes dhe kur duhet t’i dorëzohemi asaj e ta ndjejmë poaq sa familjarët e atyre që shkuan të mjekohen, por që askush nuk i pa si dhanë shpirt.

Dhe përderisa në heshtje do e jetojmë dhembjen e atyre që i humbën më të dashurit e vet, do vërejmë se pikëllimi i lind pyetjet që nuk ia shtrojmë vetes në kohën e duhur, si për shembull atë si u bëmë shoqëri ku thuajse për çdo ditë e djegin të sotmen tonë, ku për çdo ditë shtëpinë tonë që na e ka dhënë Zoti e mbulojnë me plehra?

Si u bëmë shoqëri ku askush nuk përgjigjet për asgjë, si u bëmë tokë që nuk i do fëmijët e saj, e ku disa përfitojnë edhe nga ndërtimi i spitaleve edhe nga hapja e varrezave ku na groposin!?

Mund të jetë një imazh i në këmbë dhe ambiente të jashtme

Po pra, tragjedia rrëqethëse që sot e jeton Tetova dhe të gjithë ne, mund edhe t’i lind përgjigjet që jemi shtirë se nuk i dimë, si për shembull atë se spitalin modular në Tetovë e kallëm të gjithë ne shqiptarët e Maqedonisë, ne të cilët me dorën tonë ndërtuam shoqëri të papërgjegjshme.

E kallëm ne, që edhe jetën, edhe vdekjen e lamë në duart e atyre që kërkojnë zbardhjen e shpjetë të kalendarit tonë tragjik, duke u bërë se nuk e shohin sa e kanë nxirë fytyrën tonë kolektive.

Sot, kur Maqedonia e jeton këtë dhembje rrëqethëse, mos kërkoni përgjegjësi nga askush tjetër, përpos nga vetvetja. Sepse vetëm kështu do mund të shohim se përtej dhembjes që përjetojmë sot, qëndron mëkati ynë kolektiv i dekadave të fundit, e gjatë të cilave shumëkush përfitoi edhe nga vdekja, edhe nga jeta jonë.